Valverde futet në histori me tripletën kundër Manchester City-it
Një mbrëmje e paharrueshme për Federico Valverde në përballjen spektakolare të Champions League mes Real Madrid dhe Manchester City. Mesfushori uruguaian, që në këtë ndeshje mbante edhe shiritin e kapitenit, ishte protagonisti absolut i sfidës duke realizuar tre gola vetëm në pjesën e parë.
Me këtë performancë të jashtëzakonshme, Valverde hyri në një listë shumë elitare lojtarësh që kanë arritur të shënojnë tregolësh në 45 minutat e para të një ndeshjeje të fazës me eliminim direkt në Champions League. Para tij këtë arritje e kishin realizuar vetëm Lionel Messi, Robert Lewandowski, Erling Haaland dhe Anthony Gordon.
Megjithatë, uruguaiani veçohet në këtë grup të ngushtë, pasi është mesfushori i vetëm që ka arritur të realizojë një tregolësh të tillë në këtë fazë të turneut.
Rekordi i tij bëhet edhe më i veçantë në një tjetër statistikë interesante: Valverde është lojtari i vetëm që ka shënuar tre gola ndaj një skuadre të drejtuar nga Pep Guardiola brenda pjesës së parë të një ndeshjeje.
KOHA JONË SONDAZH

