Interi sfidon Juventusin, në avantazh për mbrojtësin e talentuar boshnjak
Një verë e nxehtë pritet tek Interi, ku drejtuesit zikaltër po planifikojnë një tjetër fazë të rëndësishme të rinovimit të skuadrës, proces që ka nisur që sezonin e kaluar. Në qendër të këtij transformimi është reparti i mbrojtjes, i cili pritet të pësojë ndryshime të mëdha. Në fund të sezonit, Inter mund të humbasë tre nga shtyllat e viteve të fundit: Francesco Acerbi, Stefan De Vrij dhe Matteo Darmian, të cilëve u përfundon kontrata në qershor.
Drejtori sportiv Piero Ausilio ka nisur kërkimet për zëvendësuesit e tyre. Në listën e gjatë të alternativave përfshihen disa emra, mes tyre Oumar Solet dhe Mario Gila, por në javët e fundit një profil ka marrë avantazh të dukshëm. Bëhet fjalë për Tarik Muharemovic, aktualisht pjesë e Sassuolo, i cili ka spikatur edhe me përfaqësuesen e Bosnjës në ndeshjen ndaj Italisë.
Sipas raportimeve, Inter është përpara konkurrencës për shërbimet e 23-vjeçarit, duke lënë pas edhe Juventus, që zotëron 50% të të drejtave të rishitjes së lojtarit. Ky element përbën një avantazh për bardhezinjtë, të cilët mund ta transferojnë me një kosto më të ulët krahasuar me vlerësimin prej rreth 30 milionë eurosh nga Sassuolo.
Megjithatë, vetë mbrojtësi duket se preferon kalimin te Inter, që mund të përshpejtojë nisjen e negociatave mes dy klubeve. Nuk përjashtohet mundësia që marrëveshja të përfshijë edhe një lojtar si pjesë shkëmbimi, një praktikë e njohur për Sassuolon, që tradicionalisht investon në zhvillimin e talenteve të rinj.
KOHA JONË SONDAZH

