SPAK dhe BKH kontrolle për trafik armësh
Kontrollet e raportuara të SPAK dhe BKH e kanë vendosur çështjen KAYO në qendër të debatit publik. Mediat raportojnë kontrolle në Ministrinë e Mbrojtjes, te Ron Yeffet dhe në banesën e biznesin e Arjeta Pucës. Po kështu, raportohet sekuestrimi i telefonit të Ardi Veliut, drejtor i KAYO-s. Këto veprime nuk provojnë fajësinë e personave të përmendur, por kërkojnë sqarime serioze. Pesha e çështjes lidhet me ndërthurjen e autoritetit shtetëror me interesat e biznesit në fushën e mbrojtjes. Denoncimet për trafik të dyshuar armësh duhen verifikuar deri në fund, me dokumente dhe prova. Në këtë fushë, çdo shkelje e mundshme mund të ketë pasoja përtej dëmit ekonomik. Preken besueshmëria e institucioneve, marrëdhëniet me partnerët dhe siguria e vendit. Prandaj qeveria ka detyrimin të shpjegojë mënyrën si ka administruar këtë veprimtari.
Fraza “të flasë drejtësia” nuk e përmbush përgjegjësinë politike të atyre që kanë marrë vendime. Drejtësia heton përgjegjësinë penale; qeveria duhet të japë llogari për vendimmarrjen e saj, nëse ajo rezulton jo ligjore. Kush i ka përzgjedhur partnerët dhe me cilat kritere është vlerësuar besueshmëria e tyre? Çfarë kontrolli është ushtruar mbi marrëveshjet, autorizimet dhe zbatimin e kontratave? A kanë funksionuar mekanizmat që duhet të identifikojnë dhe parandalojnë shkeljet?
Këto pyetje kërkojnë përgjigje konkrete, sepse bëhet fjalë për ushtrimin e autoritetit publik. Një kompani shtetërore në industrinë e mbrojtjes duhet të ketë përgjegjësi të përcaktuara qartë.
Duhet të dihet kush propozon, kush miraton, kush firmos dhe kush kontrollon. Nëse këto hallka janë të paqarta, krijohen hapësira për abuzim dhe shmangie përgjegjësie. Nëse janë të qarta, hetimi duhet të ndjekë gjithë rrugën e vendimmarrjes. Firma në fund të një dokumenti nuk shpjegon domosdoshmërisht se kush e ka orientuar vendimin. Pikërisht këtu qëndron prova më e rëndësishme për pavarësinë dhe thellësinë e hetimit.
SPAK duhet të verifikojë çdo nivel që del nga provat, pavarësisht pozitës apo ndikimit. Nëse konstatohen shkelje, përgjegjësia duhet të arrijë te urdhëruesit dhe përfituesit e tyre. Nëse dyshimet nuk provohen, edhe ky përfundim duhet të bëhet i qartë. Publiku ka nevojë për të vërtetën e dokumentuar, ndërsa të përfshirët kanë të drejtën e një procesi të drejtë. Sekreti hetimor duhet respektuar, por përgjegjësia institucionale vazhdon gjatë hetimit.
Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes kërkon partnerë të verifikuar dhe institucione të besueshme. Çdo paqartësi mbi kontratat dhe përgjegjësitë e dobëson këtë besueshmëri.
Fakti që SPAK dhe BKH ushtruan kontrolle dhe sekuestruan dokumenta në befasi tregon se hetimi ka filluar me intensitet dhe nuk ndalon derisa të fillojnë fletë arrestet e para.

