Shqipëria dhe 8 vende kandidate drejt një tregu të përbashkët me BE-në
Brukseli po shqyrton një hap të ri për afrimin ekonomik të vendeve kandidate me Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian ka propozuar krijimin gradual të një tregu të përbashkët për nëntë vendet që synojnë anëtarësimin në BE, mes tyre edhe Shqipëria. Propozimi pritet të publikohet më 6 tetor dhe do të shërbejë si bazë për diskutimet e liderëve evropianë në samitin e 15 dhe 16 tetorit në Bruksel, ku zgjerimi i BE-së do të jetë një nga temat kryesore.
Sipas draftit të Komisionit, vendet kandidate do të mund të përfitojnë gradualisht nga elementë të tregut të përbashkët evropian, ku mallrat, shërbimet, kapitali dhe njerëzit qarkullojnë lirshëm. Deri më tani, një qasje e tillë ka qenë e lidhur kryesisht me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Por hyrja në këtë treg nuk do të jetë automatike. Komisioni propozon që përfitimet të lidhen drejtpërdrejt me progresin që secili vend shënon në reformat e kërkuara për anëtarësim. Sa më i madh të jetë niveli i përgatitjes dhe zbatimit të reformave, aq më e gjerë pritet të jetë qasja në instrumentet e tregut të përbashkët.
“Përparimi i krahasueshëm duhet të çojë në mundësi të krahasueshme”, thuhet në draft-dokument. Në listën e vendeve që do të mund të përfitojnë nga kjo qasje janë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Turqia, Moldavia dhe Ukraina. Dokumenti parashikon një zgjerim gradual të instrumenteve ekzistuese, në varësi të gatishmërisë së secilit vend. Në të njëjtën kohë, Komisioni propozon edhe mekanizma mbrojtës për të shmangur situatat kur një vend përfiton nga qasja në treg, por më pas ngec në zbatimin e reformave.
Kjo do të thotë se përfitimet e fituara nuk do të konsiderohen domosdoshmërisht të pakthyeshme. Përpara se propozimet të hyjnë në fuqi, ato duhet të miratohen në mënyrë formale dhe të marrin mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Komisioni Evropian e konsideron tregun e përbashkët një nga instrumentet kryesore për nxitjen e rritjes ekonomike dhe afrimin e vendeve kandidate me standardet e Bashkimit Evropian.

