Agron Gjekmarkaj: Protesta si e vetmja rrugë! Një Qeveri Teknike për të garantuar rrotacionin demokratik

Nga Agron Gjekmarkaj-
Mënyra e vetme që shoqëria shqiptare të ngrihet në lartësinë e shpresave të veta është protesta.
Kur nisëm rrugën e lirisë para 34 vitesh besonim se do ta mundnim varfërinë shumë më shpejt dhe po kaq do të instalonim një shtet të së drejtës.
Varfëria ka trokitur kudo, në qytet e fshat sepse korrupsioni qeveritar ka grabitur në fshat dhe qytet. Paraja publike nuk shkon në të mira publike por në xhepa pushtetarësh dhe klientëve të tyre në biznes. Krimi mbikqyr proçeset ekonomike e politike.
Të tjera rroga e pensione do kishin shqiptarët nëse vjedhja nuk do të mbretëronte sovranin. Skandalet janë karta e identitetit të kësaj qeverie qysh në vitin 2013.
Konçensionet dhe inceneratorët, tymi i të cilave del ngadalë mbi pullazin e SPAK, janë dy “sukseset” e kësaj qeverie e cila me këto para blen zgjedhjet dhe paguan patronazhistët. Shqipëria ka nevojë për një Qeveri Teknike për të garantuar rrotacionin demokratik. Institucionet njëra pas tjetrës kanë rënë. Gjithçka është në doren e një njeriu, në dorën e Edi Ramës. Vendi nuk ka President, nuk ka Parlament, nuk ka dinamika e logjike institucionale, ka vetëm vullnet despotik.Drejtësia nuk heton dosjet korruptive të zgjedhjeve ndonëse gjithë shtypi i Europës ka folur për to dhe narkotrafikun që ndyn shtetin tonë.
Më 11 Korrik, çdo kush gjen motiv për të protestuar për dinjitetin e vet, për të ardhmen e fëmijëve që sot duan vetëm të ikin, të dëbuar nga arroganca e korrupsioni qeveritar, nga banaliteti e idiotësia e tyre mendore.
Kjo qeveri nuk e pranon bashkëjetesën demokratike! Provat e saj për dhunimim e opozitës janë të pafundme. Më e spikatura mbetet ndalimi dhe arrestimi i Kryetarit të PD-së dhe Liderit të Opozitë Sali Berisha pa akuzë dhe pa prova.
Ndalimi i shefit të Opozitës është kërcënim për të gjithë. Nuk është më një çeshtje individuale e një personaliteti sado përfaqësues në simbolikën e vet, por e ndergjegjes së një populli, të raportit të tij me drejtësinë dhe demokracinë.
Një vend i NATO-s dhe kandidat për në BE, megjithëse kësaj qeverie nuk i intereson integrimi si pengesë për të vjedhur, nuk mund të synojë nxjerrjen jashtë ligjit të Opozitës. Burgosja politike është defakto nxjerrje jashtë ligji, bllokim i pluralizmit.
Protesta është mjeti i fundit i cili jo thjesht opozitën, por vetë shoqerinë e çon drejt aspiratave të veta. Konformizmi është atentat ndaj së tashmës dhe së nesermës. Të rrish indiferent, të shmagesh sot i bie që nesër do jesh më i pambrojtur, më i kërcënuar, më i patronazhuar, më i kontrolluar në votë dhe në liritë e përditshme.
Më 11 Korrik në mbrëmje duhet të shfaqet shoqëria me gjithë spektrin e saj, ata që e duan dhe që nuk e duan PD, gjyshër, prind, nipa e mbesa. Duhet të jemi bashkë të gjithë ata që bashkohemi në konceptet universale për të mirën, të drejtën dhe të dobishmen.
Kjo është një protestë emancipuese për një Shqipëri më të mirë, kundër korrupsionit, kundër varfërisë, kundër keqqeverisjes, për drejtësi, zgjedhje të lira, integrim e demokraci, për një Shqipëri që i thotë ndal shkretimit. Të gjithë bashkë ja dalim.
Le të ikin nga vendi nëse drejtësia si ndal, hajdutët dhe batakçinjët që kanë vetëm bark e prapanica pushteti, duhet të rrinë Shqiptarët, zot të vetvetes dhe lirive të tyre. Ne e kemi thyer njehëherë regjimin totalitar. Historia na ka vënë në provë për së dyti. Përsëri do ta thyejmë. Projekti për Shqipërinë si gjithë Europa riprezantohet mbrëmjen e 11 Korrikut në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”!

SHKARKO APP