1 vit pas tërmetit, familjet e pastreha në Ishëm kërkojnë ndihmë nga shteti
Shirat e vjeshtës kanë mbërritur dhe disa familje në Ishëm vijojnë të jetojnë në çadra, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.
”Janë të paktën 8 familje në atë zonë me shtëpi të shembura, të cilat nuk kanë marrë asnjë ndihmë deri tani dhe jetojnë në kushte skandaloze”, tha në Dita Jonë pedagogia e komunikimit Edlira Gjoni, e cila që nga tërmeti i 26 nëntorit është kujdesur për familjet e mbetura pa strehë.
Familja Kulla në Ishëm po e gjen dimri i dytë në qiell të hapur. Kjo familje vijon të banojë në dy çadra dhe në një kontejner, në kushte mjaft të vështira.
”10 muaj në çadër kanë qenë të tmerrshme, me vuajtje, me fëmijë të vogël. Unë jam e sëmurë, me zemër, kam probleme me mushkëritë edhe bashkëshorti ka probleme shëndetësore. Deri tani janë duke na mbajtur me fjalë. Tani na kanë thënë në 1 tetor. Mbetëm me sytë nga rrugë”, tregon me lot në sy Sofie Kulla.