10 muaj në burg, Blushi: Avokati i Popullit konstatoi shkeljen e të drejtave të Ilir Metës
Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi thotë se Avokati i Popullit, ndonëse me 10 muaj vonesë, ka konstatuar dhe konfirmuar zyrtarisht, shkeljen flagrante të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në rrëmbimin kriminal dhe politik të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta më 21 tetor të vitit të kaluar. Blushi theksoi se sipas Avokatit të Popullit arrestimi i Metës është kryer pa i vënë në dispozicion vendimin e gjykatës dhe Metës i është mohuar e drejta për të kontaktuar menjëherë me avokatin e tij. Ai tha se janë dhunuar haptas dy të drejta themelore, që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Deklarata e Plotë e Blushit:
Avokati i Popullit, ndonëse me 10 muaj vonesë, ka konstatuar dhe konfirmuar zyrtarisht, pa ekuivok, shkeljen flagrante të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, si dhe cënimin e rëndë të procedurave ligjore dhe standardeve më minimale të një shteti të së drejtës, në rrëmbimin kriminal dhe politik të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta më 21 tetor të vitit të kaluar. Sipas Avokatit të Popullit: 1. Arrestimi i Z. Meta është kryer pa i vënë në dispozicion vendimin e gjykatës. 2. Z. Meta i është mohuar e drejta për të kontaktuar menjëherë me avokatin e tij. Janë dhunuar haptas dy të drejta themelore, që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Është diskredituar përpjekja kriminale e Policisë së Shtetit për të manipuluar opinionin publik, dhe ka rënë poshtë i gjithë mashtrimi i saj me faktin shumë të rëndë të konstatuar tashmë edhe nga Avokati i Popullit, se gjatë këtij ndalimi të dhunshëm të Presidentit Meta, punonjësit e pretenduar dhe të paidentifikuar të Policisë:
1. Nuk kanë pasur asnjë dokument identifikimi dhe asnjë shenjë dalluese të qartë, siç kërkon ligji.2. Banditët e policisë nuk kanë pasur as kamera trupi për të dokumentuar pretendimet e tyre të rreme. Kjo provon shumë qartë se në thelb ajo çfarë të gjithë shqiptarët panë më 21 tetor 2024, ishte një rrëmbim politik terrorist me urdhër të Edi Ramës nga tribuna e Partisë Socialiste.
Partia e Lirisë i konsideron gjetjet e Avokatit të Popullit si një tjetër provë që fakton keqpërdorimin politik ekstrem të institucioneve ligjzbatuese qe jane shnderruar ne vegla qorre të dhunës politike dhe represive të pushtetit kundër kundërshtarëve të saj politikë. Po kështu, fakti që SPAK-u nuk hetoi qellimisht kallëzimin e bërë në datën 6 dhjetor 2024 nga Partia e Lirisë ndaj policëve, që kryen rrëmbimin në mesin e rrugës më kryesore të Tiranës, tregon bashkëfajësinë e plotë të SPAK, gjithashtu si dhe nënshtrimin e plotë politik të policisë, Drejtorit Përgjithshëm të Policisë Shtetit, i cili në shkresën “Kthim përgjigje për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi”, thotë ndër të tjera se, policët kishin në momentin e ndalimit urdhërin e ekzekutimit të lëshuar nga prokuroria e posaçme.
Kjo “Kthim përgjigje” e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është një mashtrim i pastër për të justifikuar brutalitetin dhe dhunën e përdorur sepse e vërteta qëndron krejt ndryshe. Z. Meta u njoh me urdhër-arrestin vetëm pas 3 orësh kur kishte shkuar në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe pasi i kishte mbërritur më parë, i njoftuar vetëm nga mediat, avokati Genc Gjokutaj. Pra kjo vërteton edhe njëherë se Presidenti Metaj u rrëmbye dhe u dhunua me urdhër politik të Edi Ramës, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Fakti që nuk pati asnjë reagim apo hetim qoftë edhe administrativ për policët banditë vërteton se jemi përpara një situate të agjesimit të shtetit të së drejtës, që ndodh vetëm në vende diktatoriale apo regjime autokratike. Tashmë nuk ka më asnjë dyshim që rrëmbimi kriminal i Presidentit Meta u urdhërua nga Edi Rama dhe u ekzekutua nga banditët me uniformë. Ngjarjet që po përjetojmë sot janë në vijimësi të këtij rrëmbimi, kur shohim se si institucionet e shtetit vetëm me urdhër verbal të Edi Ramës nxiten dhe kryejnë masakra mbi pronat dhe pasuritë e shqiptarëve, në tejkalim të kompetencave dhe në shkelje ta hapur të ligjit dhe Kushtetutës.
Rasti flagrat më i freskët është akti terrorist ndaj fjalës së lirë, nëpërmjet ndërprerjes së sinjalit të televizonit Neës 24 dhe marrjes peng, jo vetëm të ambienteve të punës por edhe të materialeve sensitive të gazetarëve në lidhje me dosjet dhe aferat korruptive të Qeverisë. Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri që gjetjet e Avokatit të Popullit të konkretizohen sa më parë në përgjegjësi penale për të gjithë zyrtarët e lartë që urdhëruan dhe zbatuan aktin kriminal të rrëmbimit të Presidentit të Partisë së Lirisë z. Ilir Meta, duke nisur së pari nga Narkodrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili kurrë nuk do t’i shpëtojë drejtësisë dhe as do të amnistohet për këtë krim.
KOHA JONË SONDAZH

