115 vjet Banda Frymore “Afërdita”/ Simbol i rezistencës dhe trashëgimisë së qytetit

Në krahinën e Elbasanit, ndër rrugët e saj me histori të ngjarjeve të mëdha, ngrihet një monument i kulturës dhe identitetit kombëtar, Banda Frymore “Afërdita”
Me një trashëgimi prej 115 vitesh, kjo bandë ka shkruar një kapitull të vecantë në historinë e muzikës dhe kulturës së Elbasanit.

Themeluar në vitin 1917 “Afërdita” nuk është vetëm një ansambël muzikor, por një simbol i rezistencës, përkushtimit dhe artit të muzikës së trashëgimisë së qytetit.
Në 115 vite të krijimit të saj, nën kujdesin e vecantë të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Bashkia, Qendra e Artit dhe Shoqata Kulturore Skampa, organizuan një event kulturor.
Në prani të qindra qytetarëve elbasanas, artistë të vjetër dhe të rinj, shijuan repertorin me vepra klasike, intepretuar nga orkestra frymore “Afërdita”, si edhe orkestrat frymore të Bashkive Durrës, Tiranë, Berat, Mali i Zi, dhe Shkodër, të cilët ishin të ftuar nderi në këtë përvjetor.

Ky repertor i vyer i bandave të vendit tonë u intepretua gjatë një parade në qytet, për t’u ndalur në amfiteatrin e Real “ Skampis” ku edhe nën kujdesin e vecantë të kryetarit të bashkisë, u vlerësua me titullin Mirënjohja e Qytetit, Emin Palluqi, me motivacionin “ Për kontributin e tij 25 vjecar në drejtim e orkestrës frymore Banda “ Afërdita” me nivel të lartë artistik dhe professional”.

Nga koncertet e para të saj nëpër rrugët e Elbasanit, deri në udhëtimet e shquara për të përfaqësuar qytetin në festat kombëtare, Bandës Frymore “Afërdita”, i është kushtuar një përkushtim i pandalshëm për të mbartur muzikën dhe kulturën e qytetit me dinjitet.

Çast historik në jetën e bandës frymore “Afërdita” ishte pjesëmarrja në kremtimin e çlirimit të Vlorës nga pushtuesit italianë”.

Pas një udhëtimi prej tre ditësh në këmbë më 3 shtator të vitit 1920 ajo vihet në krye të luftëtarëve dhe hyn në Vlorë e çliruar.

Në rrugëtimin e saj ajo ka pasur drejtues e muzikantë nga të gjitha kohërat, si Thanas Floqi, Filip Papajani, Sokol Paparisto, Sulejman Gjevori, Mithat Stringa, Alfonc Balliçi, Sulejman Baltëza, Blerim Narazani, Emin Palluqi, Josif e Leonard Shuteriqi, Hamit Kusi, Ndriçim Behluli, të cilët me talentin dhe pasionin e tyre kanë bërë që tingujt e kësaj të bien në zemrat e brezave të Elbasanit.
Në vitet 1930 nën drejtimin e Sokol Paparistos repertori i bandës u pasurua me veprat violinistike, të cilët zunë një vend të rëndësishëm në bandë. Po gjatë këtij viti, banda pati një ndërprerje, dhe pas çlirimit në vitin 1944 banda u drejtua nga Sulejman Gjevori, i cili vuri në baza profesionale punën në këtë formacion duke rritur dhe një brez të ri muzikantësh.

Sot, si një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, Bandës Frymore “Afërdita” i kushtohet një vëmëndje e vecantë në 115 vjetorin e saj.
Ndaj kreu i bashkisë z. Gledian Llatja ftoi të gjithë komunitetin e Elbasanit të bashkohet për të nderuar dhe për të festuar kontributin e madh të kësaj bande në jetën kulturore të qytetit.
Me një rrugëtim që fillon në vitin 1917 dhe vazhdon sot e kësaj dite, Banda Frymore “Afërdita” i përket një kapitulli të vecantë në historinë e Elbasanit. Miranda Sadiku

SHKARKO APP