117 mijë shqiptarë nuk po gjejnë punë! Punëkërkuesit në vend mbeten kategori në vështirësi

Në Shqipëri ka rregullisht rreth 117 mijë njerëz që nuk arrijnë të gjejnë punë prej më shumë se një viti. Të dhënat e Instat tregojnë se nga 173 mijë të papunë që regjistroheshin vitin e kaluar në Shqipëri, rreth 68% ishin të papunë afatgjatë.

Kjo shifër i referohet vetëm punëkërkuesve aktivë, pa përfshirë këtu të papunët e dekurajuar ose ata që thjesht nuk kanë dëshirë të punojnë.

Në tërësi, statistikat e tregut të punës në Shqipëri tregojnë një tendencë pozitive. Shkalla e papunësisë është në nivelin më të ulët historik, prej 11.4%, ndërsa në vlerë absolute numri i të papunëve ka rënë me 21% në katër vitet e fundit.

Sidoqoftë, fakt është se pesha e të papunëve afatgjatë kundrejt numrit total të punëkërkuesve është rritur në 68%, nga rreth 64% që ishte katër vjet më parë. Kjo dëshmon se gjetja e një pune për shqiptarët nuk është aq e lehtë dhe ndoshta arsyeja duhet kërkuar te papunësia strukturore, e cila vjen nga mospërputhja e kërkesës dhe ofertës për punë. Fenomeni, i ilustruar shpesh vitet e fundit me parullën “punë ka, por nuk ka profesionistë”, po rezulton i vështirë për t’u adresuar. Mungesa e punonjësve të specializuar është një nga problemet kryesore që rezulton prej anketimeve të ndërmarrjeve, sidomos atyre prodhuese, në vend.

Problemi bëhet edhe më i mprehtë po të shohim nivelet shumë të larta të pasivitetit, veçanërisht mes më të rinjve. Instat raporton se rreth 29% e të rinjve nga 15 deri në 29 vjeç nuk janë as në punë dhe as në shkollë apo në ndonjë kurs formimi profesional. Por, brenda këtij kontigjenti, pjesa dërrmuese, rreth 63%, nuk kërkojnë punë dhe janë ekonomikisht jo-aktivë.

/SCAN

SHKARKO APP