Ja ç’shkruante Spartak Ngjela me 20 mars 1993 në KOHA JONE: A duhet të ketë zgjedhje të parakohshme?

Nga Spartak Ngjela-

Para se t’i përgjigjesh kësaj pyetje, je i detyruar që t’i bësh një analizë korrekte situatës aktuale. Në fund të fundit, demokraci do të thotë zgjedhje të lira, pasi drejtimi i një shteti demokratik vjen gjithmonë nga Parlamenti; sepse duam apo s’duam ne, demokracia moderne, e ndryshme nga ajo e Athinës së vjetër, është demokraci me përfaqësim, ose më saktë: është një demokraci indirekte. Por nëse në një krah kemi përfaqësuesit e popullit të dalë nga zgjedhjet e lira, në krahun tjetër kemi kontrollin që vetë populli u bën përfaqësuesve të vet gjatë mandatit që u ka caktuar. Pikërisht te kjo pikë duhet ta nisim analizën tonë: e pra, a e kanë justifikuar veten parlamentarët tanë në vitin e parë të mandatit të tyre?

Përgjigja e kësaj pyetje, afër mendsh që e mbart me vete edhe përgjigjen që del nga pyetja: A duhet të kemi zgjedhje të parakohshme në Shqipëri? Sipas mendimit tim, Parlamenti aktual nuk po e justifikon veten. Ky Parlament mori përsipër padyshim një barrë shumë të rëndë kur ia nisi punës së vet. Atij i duhej të nxirrte nga kriza e thellë shoqërinë tonë. Por ama, kur flet për krizë, duhet të kuptosh vetëm atë, sepse po të rrish i mbërthyer te shkaqet që e kanë sjellë këtë krizë, s’ke bërë gjë tjetër, veç ke përsëritur ato që ke thënë gjatë fushatës elektorale. Është fakt se të gjitha forcat antikomuniste e konstatuan krizën sociale që na kishte mbërthyer dhe i paraqitën popullit në fushatën elektorale rrugët që ata shihnin si më efikaset për daljen e shpejtë prej saj. Kjo ishte esenca e zgjedhjeve të 22 marsit. Por nëse para një viti deklarove planin tënd për reformimin e shoqërisë shqiptare, tani, pas një viti elektoratit padyshim i del e drejtë të pyesë: sa i ke vënë në zbatim planet që ke paraqitur para tij. Ja këtu duhet të ndalemi. Veç po ta shohim me vëmendje atë çka kemi arritur, mbërrijmë te konkluzioni se gjatë këtij viti nuk është bërë ndonjë hap i sigurt përpara drejt daljes nga kriza. Elektoratit nuk i duhet fare se ku e kishe përqendruar ti shpresën tënde, për rikstrukturimin e shoqërisë. Ai nuk do t’ia dijë as për luftën në Ballkan, as për rrezikun serb, as për situatën ndërkombëtare, as për zgjedhjet e reja në Amerikë, as për luftën në Gjirin Persik e as për forcat destruktive që të paskan dalë ty në gjirin tënd. Ai do të dijë vetëm për rezultatin për paqen sociale, për garantimin e punës, për garantimin e jetës, për problemin arsimor, për çmimet e tarifat (të cilat janë vazhdimisht në ngritje). Të gjitha këto ka të drejtë t’i kërkojë, sepse kur të ka dhënë votën, ka qenë i vetëdijshëm se nuk të ka dhuruar gjë, por vetëm ka lidhur me ty një kontratë, ku ti i ke premtuar të gjitha ato që shprehëm, ndërsa ai të ka dhënë mandatin 4-vjeçar të administrimit, pasi u bind prej fjalëve të tua se ti je i aftë të bësh këtë. Por, në anën tjetër, që në atë çast kur do të bindet për të kundërtën, domethënë se ti, si forcë politike nuk je e afttë për ta administruar shoqërinë, sepse ndërkohë nuk po i përmbahesh as fare premtimeve që ke bërë, ai ka të drejtë të prishë kontratën e me anë të zgjedhjeve të parakohshme t’u bëjë thirrje të gjitha forcave politike në vend që të paraqesin programe të reja. Elektorati demokratikisht gjithmonë ka të drejtë të kërkojë ndihmën e tyre duke u dhënë mandatin e ri me një kontratë të re. Kështu pra, zgjedhjet e reja jo vetëm s’janë një sakrilegj, por përkundrazi, ato i japin të kuptuar çdo force politike që, kur të bëjë premtimet, t’i masë mirë fjalët. Demagogjia që është rreziku më imediat i demokracisë, mund të neutralizohet vetëm me kartën e revokimit të mandatit politik, domethënë me anë të zgjedhjeve të parakohshme, domethënë me lidhjen e një kontrate të re. Të gjithë mendimet e tjera janë mentalitete totalitare, sepse po të hedhim sytë në demokracitë perëndimore zgjedhjet e parakohshme kanë qenë gjithmonë prezente e ngaherë kanë qenë arma më efikase për të dalë nga kriza. Shembulli  më i freskët është Italia e këtij viti. Për të argumentuar demokratikisht nevojën e zgjedhjeve të reja, analizës sonë i duhet të cekë patjetër dy argumente: argumenti politik dhe argumenti juridik.

Argumenti politik

Politika është arti i të qeverisurit. Por që të qeverisësh me mënyra demokratike, është e domosdoshme të respektosh institucionet demokratike që kanë dalë nga një kontratë shoqërore e bashkë me to, ligjin. Brenda kësaj suaze të ngushtë pastaj, duhet të zhvillosh politikën tënde e cila në esencë s’është tjetër veçse mënyra jote e qeverisjes. Pikërisht për këtë, në aspektin politik të të parit të gjërave, Parlamenti i sotëm, përgjatë gjithë vitit të ekzistencës së vet, e tregoi veten që nuk është i aftë për të krijuar ekuilibrin social që i duhet aq shumë shoqërisë sonë në këto momente. Sot ne ndodhemi para konfliktesh të shumta sociale. Kështu në fakt ishte dhe para një viti. Në fund të fundit, demokraci do të thotë konsensus dhe jo forcë. Shqipëria, për të dalë nga kriza, ku është futur ka nevojë për të kryer urgjentisht mbi të gjitha dy reforma: reformën institucionale dhe reformën ekonomike. Pikërisht këtu, menjëherë del në pah ligji e bashkë me të institucioni. Na duhen institucione të reja për të sjellë në shoqëri frymën moderne të ekonomisë ashtu sikundër që na duhen patjetër institucione të reja politike, për të garantuar me anë të tyre qetësinë sociale, domethënë garancinë se pushteti nuk ka fuqi të dhunojë individin, domethënë personalitetin njerëzor. Ja pra, kjo duhet të jetë politika aktuale, e cila patjetër që duhet të udhëhiqet nga Parlamenti. Jemi Republikë Parlamentare, prandaj bash nga Parlamenti i ri duhej të dilnin e të shfaqeshin edhe dy pushtetet e tjerë, pushteti ekzekutiv e pushteti gjyqësor. Po të kishim me të vërtetë një parlament që do të mendonte më tepër për  fatet e shoqërisë se sa për fatet e pushtetit partiak, atëherë gjithçka do të drejtohej nga fryma e konsensusit. Por ne s’e kemi ende një parlament të këtillë, prandaj dhe jemi ende larg frymës perëndimore të konsensusit. Gjithkush duhet ta kuptojë se në demokraci bota e secilit individ ka gjithmonë një specifikë konstante: ajo është e barabartë pavarësisht nga bindjet politike. Por nëse ti, nuk e respekton këtë kërkesë të domosdoshme të demokracisë, atëherë nuk ka si të drejtosh në mënyrë demokratike e prandaj pikërisht për këtë si pasojë e tensioneve sociale që sjell me vete kjo lloj intolerance, të mbeten vetëm dy rrugë: ose do të lësh pushtetin ose do të vendosësh diktaturën e pushtetit tënd. Ja pra ku na ka çuar mungesa e konsensusit në parlament, pikërisht tek ajo pikë së cilës duhej t’i ruheshim më tepër se çdo gjëje tjetër: te tensionet sociale tepër të acaruara. Këtu lind një pyetje: si paraqiten sot tensionet sociale po t’i krahasonim ato me një vit më parë? Gjithkush e sheh se tensionet sociale sa po vijnë e po acarohen më tepër. Kjo gjë tregon se, pushteti i ri politik që ka dominuar në mënyrë absolute Parlamentin, nuk i përshtatet demokracisë, ai është tejetej pasionant e për këtë, ai s’është më dot në gjendje që ta udhëheqë paqësisht politikën e brendshme shqiptare. Kjo më në fund është edhe arsyeja që ai nuk pati mundësi të nxjerrë një pushtet ekzekutiv të aftë, ashtu sikundër që u ngatërrua politikisht kur lentoi pushtetin gjyqësor, shembulli më tipik i të cilit është Gjykata Kushtetuese, e cila duket hapur se është më tepër një institucion politik, sesa një arbitër i pavarur.

Argumenti juridik

Argumenti juridik që flet në favor të zgjedhjeve të reja është Kushtetuta. Ne sot ende nuk kemi një kushtetutë, prandaj me të drejtë do të thoshim se ende nuk e kemi bërë kontratën tonë sociale. Por, nëse ende nuk kemi arritur të bëjmë një kontratë të tillë, në një kohë që po presim ta bëjmë këtë, atëherë në çast duhet të pyesim: si do ta bëjmë këtë kontratë? Ja pra, ku dolëm te miratimi i Kushtetutës. Ne duam një kontratë shoqërore, e cila duhet të jetë e ndërtuar në mënyrë të atillë, që brenda saj të ketë gjetur shprehjen e vet, si zgjidhje, për të gjitha interesat e shtresat e ndryshme të shoqërisë. Prandaj, duke i qëndruar argumentit të pafavorshëm politik që analizuam më lart, me të drejtë duhet të pyesim: A është i aftë Parlamenti i sotëm që të miratojë një Kushtetutë e cila të na shërbejë vërtet si një kontratë shoqërore. Mendimi ynë është se ndaj parlamentit aktual qëndrojnë dy arsye që nuk e lejojnë për ta kryer një detyrë të tillë kaq historike. E para, se ai dominohet në 2/3 nga një parti e vetme, e cila, deri më tani, jo vetëm që nuk ka respektuar konsensusin por as që denjon ta përmendë atë dhe; e dyta, sepse edhe nëse do të prirej nga konsensusi, parlamenti aktual nuk i ka mundësitë profesionale për të ndërtuar një kushtetutë kaq komplekse, e cila në themel të vet duhet të ketë kompromisin e jo kurrsesi forcën. Të gjitha këto, na japin të drejtë të theksojmë se kushtetuta duhet të miratohet nga një Asamble Kushtetuese.

Ky fakt pastaj na çon më tej; sepse, menjëherë pas hartimit të kësaj kontrate historike, mbi këtë duhet të mbështetet e gjithë veprimtaria politike në Shqipëri, domethënë pikësëpari zgjedhje parlamentare. Do të kishte qenë nonsens juridik të pranoje se, rezultati fizik i zgjedhjeve politike të 22 marsit, i cili kishte të tjera pikësynime, sigurisht krejt e historike, të merrte përsipër të hartonte edhe Kushtetutën. Afërmendsh që një kushtetutë të dalë në këtë formë s’mund asesi të jetë një kontratë e gjerë shoqërore, neutralizuese e kompromisi, por një akt politik që, më tepër do t’i shkonte për shtat pushtetit politik aktual, sesa frymës së paktit social që duhet të ketë një kushtetutë. Për hartimin e një kushtetute shqiptare duhet të angazhohen patjetër të gjitha forcat e shëndosha intelektuale, një grup sa më i gjerë njerëzisht të ditur që janë përzgjedhur posaçërisht për të. Ja pra pse ne tani realisht ndodhemi përpara zgjedhjeve të parakohshme.Spartak Ngjela/20 mars 1993/

SHKARKO APP