124 shtetas të Shqipërisë, marrin shtetësinë e Maqedonisë

Të dhënat e fundit zyrtare të Maqedonisë për 6 muajt  e parë të këtij viti tregojnë një trend të rritjes së shtetasve të huaj që dëshirojnë të fitojnë të drejtën e shtetësisë së Maqedonisë.

Kështu, sipas tyre, nga muaji janar i këtij viti e deri në fund të muajit qershor, në regjistrin e shtetasve të rinj të Maqedonisë janë regjistruar 489 shtetas të huaj.

Prej tyre, shtetësinë e Maqedonisë e kanë fituar 124 shtetas të Shqipërisë, 126 shtetas nga Kosova, 73 janë shtetas të Serbisë, 28 janë shtetas të Turqisë dhe 18 janë shtetas të Austrisë.

Ndërsa gjatë vitit të kaluar, kërkesë për marrjen e shtetësisë së Maqedonisë kanë dorëzuar 1072 shtetas të huaj dhe të drejtën e shtetësisë e kanë fituar 261shtetas nga Shqipëria, 240 shtetas nga Kosova, 131 janë shtetas nga Serbia, 89 janë shtetas turq dhe 35 janë shtetas nga Austria.

Më shumë kërkesa sipas gazetës ditore në gjuhën maqedonase “Dnevnik”, kanë dorëzuar shqiptarët e Shqipërisë. 

Sipas MPB-së, brenda një viti kërkesa  për marrjen e shtetësisë së Maqedonisë dorëzojnë shtetas të huaj nga 50 shtete të ndryshme të botës ndërsa numër më të madh të kërkesave dorëzojnë shtetasit nga, Shqipëria, Kosova, Serbia, Turqia dhe Austria.

Numri më i madh i këtyre shtetasve të huaj të drejtën e  shtetësisë të Maqedonisë e kanë fituar në bazë të lidhjeve martesore, mirëpo ka edhe nga ata që e kanë fituar në bazë të origjinës gjegjësisht emigrant të cilët kanë paraqitur vendqëndrimin e tyre për periudhë prej 1.5 vite.

Vitin e kaluar në bazë të lidhjeve martesore të drejtën e shtetësisë së Maqedonisë e kanë fituar 670 shtetas të huaj.

Ligji për Shtetësi përveç lidhjeve martesore garanton të drejtën për fitimin e shtetësisë së Maqedonisë edhe për shtetasit e huaj të cilët ilegalisht qëndrojnë në territorin e Maqedonisë më së paku 8 vite.

Kushti i vetëm është të kenë të ardhura për ekzistencë dhe të mos jenë të ndjekur penalisht apo dënuar për vepra serioze, si dhe të flasin gjuhën maqedonase. Më shumë shtetësi të Maqedonisë të huajve u janë ndarë në vitin 2011, kurse pesë vitet e fundit gjithnjë e më pak ka kërkesa nga shtetasit e huaj për t’u pajisur me shtetësinë e Maqedonisë.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikor, nga viti 1992 e deri në fund të vitit 2014, mbi 100 mijë shtetas të huaj janë bërë shtetas të Maqedonisë.

SHKARKO APP