138 mijë doza vaksine kundër gripit, Manastirliu: Nga të moshuarit deri te kategoritë e rrezikuara

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishte sot në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, ku deklaroi se janë në dispozicion të grupeve më të rrezikuara 138 mijë vaksina kundër gripit falas. ”Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik ka marrë masa për vaksinimin falas ndaj gripit të grupeve të rrezikuara, duke filluar në kohë vaksinimin falas fillimisht për personelin shëndetësor dhe të moshuarit, për të shmangur komplikacionet e gripit”.

 

Vaksinat janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, duke përfshirë për herë të parë edhe fëmijët në moshën 2 deri 5 vjeç. Grupet e tjera të rrezikuara që mund të kryejnë vaksinat falas janë gratë shtatzëna, personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike si diabet, sëmundje kronike obstruktive pulmonare, sëmundje kronike të zemrës, veshkave, mëlçisë si dhe persona obezë apo me imunodeficiencë të të gjitha moshave.

Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, janë të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Vaksinimi do të kryhet falas në çdo qendër shëndetësore dhe sipas specialistëve, është koha më e mirë për të bërë vaksinën tashmë që ende nuk ka qarkullim të virusit të gripit në vendin tonë. Manastirliu u shpreh se një tjetër investim i rëndësishëm me fondet e buxhetit të shtetit për ruajtjen dhe sigurinë e vaksinave është edhe pajisja e 50 qendrave shëndetësore në vend me frigoriferë të rinj, të certifikuar, sipas standardeve, me qëllim rritjen e sigurisë së vaksinave të parakualifikuara dhe forcimit të zinxhirit ftohës, që përbën një hallkë të rëndësishme për ruajtjen dhe plotësimin me efektshmëri të procesit të vaksinimit.

SHKARKO APP