1381 maturantë në garë për Mjekësinë e Përgjithshme, vetëm 436 kuota në dispozicion
1,381 maturantë kanë nisur garën për të fituar një nga 436 vendet e lira në programin e Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë.
Kandidatët iu nënshtruan testimit të pranimit, me 60 minuta në dispozicion për të zgjidhur pyetjet nga biologjia, kimia dhe fizika. Pas provimit, maturantët e cilësuan testimin të një niveli mesatar dhe shprehën optimizëm për rezultatet.
Për disa prej tyre, zgjedhja e Mjekësisë mbetet e lidhur me pasionin dhe dëshirën për të ushtruar profesionin në Shqipëri. Ndërsa detyrimi për të shërbyer për tre vite në vend pas përfundimit të studimeve ka ngritur pikëpyetje te disa kandidatë, ai nuk i ka penguar ata të konkurrojnë.
Provimi i pranimit zhvillohet nga 17 deri më 21 gusht për të gjithë kandidatët që kanë përzgjedhur Mjekësinë e Përgjithshme në listën e preferencave.
Por rezultati i testimit nuk është kriteri i vetëm për pranimin. Renditja përfundimtare do të përcaktohet nga kombinimi i 30% të pikëve të konkursit dhe 70% të mesatares së arsimit të mesëm.
Rezultatet dhe emrat e kandidatëve fitues pritet të publikohen në fund të muajit gusht.
KOHA JONË SONDAZH

