
Protesta këtë mbrëmje e studentëve përballë Kryeministrisë po zhvillohet në një atmosferë më të qetë se në ditët e mëparshme, ndërsa numri i pjesëmarrësve është më i reduktuar. Ndryshe nga ditët e tjera, pedagogët nuk zhvilluan marshimin e paradites nga Universiteti Politeknik drejt Kryeministrisë, por iu bashkuan studentëve në tubimin para Ministrisë së Arsimit. Disa prej pedagogëve dhe protestuesve theksuan nevojën për zgjidhjen e situatës përmes dialogut, duke bërë thirrje për shmangien e përshkallëzimit të tensioneve. Bojkoti, sipas raportimit nga terreni, pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim.