15 për qind e banorëve, Lazarati, aplikim masiv për Lotarinë Amerikane

 

Rreth 15 për qind e banorëve të Lazaratit kanë aplikuar sivjet në Lotarinë Amerikane, shkruan sot gazeta Panorama, në një raportazh për fshatin që u bë i njohur në të gjithë botën për kultivimin e kanabisit. Dikur fshati mbahej me paratë e drogës, por tani nuk prodhon më asgjë, pas operacionit policor të vitit të kaluar.

Sipas Panoramës, shumë prej banorëve nuk kanë para as të blejnë ushqime dhe borxhet e shënuara në bllokun e një shitëseje arrijnë në miliona. Shumë të tjerë i janë kthyer epokës së bukës së misrit.

Shpresa për një jetë më të mirë ka humbur fare dhe e ardhmja duket e zymtë në Lazarat. Askush nuk guxon më të mbjellë bimën e ndaluar, e cila u sillte të ardhura deri në luks. Të vetmit banorë, që i kanë varur shpresat tek ardhmja në këtë fshat, kanë përveshur mëngët duke zënë zonat malore, kryesisht në malin Sopot mbi Lazarat, për të korrur bimë medicinale e më pas ta shesin në tregun vendës sipas çmimeve të vendosura.

Edhe vilat luksoze janë braktisur. Të zotët e tyre i janë drejtuar Tiranës apo qendrave të tjera urbane. Të tjerë presin me shpresën se fati do të jetë me ta e do t’u bjerë Lotaria Amerikane.

Nga të dhënat e fundit, nga Lazarati këtë vit kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane qindra persona. Shifrat janë katastrofike në raport me popullsinë e fshatit, duke përbërë gati 15 për qind të popullsisë zyrtare, të cilët kërkojnë të largohen njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria. “Një dëshirë e tillë për emigrim në këto përmasa, nuk është parë ndonjëherë”, shprehen banorët.

SHKARKO APP