15 vite nga 21 Janari, Vangjeli: Drejtësia duhet të vulosë autorin që tha ”Qëlloni”
Analisti Lorenc Vangjeli thotë se ngjarja tragjike e 21 Janarit përcaktoi 15 vitet e fundit politike. Për të 21 Janari është një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në 35 vjet pluralizëm në Shqipëri, duke kushtëzuar edhe rrjedhën e ngjarjeve politike, veçanërisht ato të 15 viteve të fundit.
“21 janari është një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në 35 vjet pluralizëm në Shqipëri. Është një nga ato ngjarje që ka kushtëzuar rrjedhën e ngjarjeve shoqërore dhe politike kryesisht të 15 viteve. Pa 21 janarin, Shqipëria e sotme nuk do të ishte kështu siç është, mund të ishte më e mirë apo mund të ishte më e keqe. Kjo është tjetër histori. Shqipëria siç e njohim tani nuk do të ishte njësoj”, tha Vangjeli në ”RTSH”.
Analisti tha më tej se ne ende sot nuk kemi një motiv pse u bënë ato vrasje, si dhe nuk ka ende një “vulë legale për ta besuar një gjë të tillë dhe për të thënë diçka tjetër, duhet emër dhe mbiemër, e thënë sërish nga drejtësia. Përtej fakteve shumë të njohura; kush tha: Qëlloni?!”
“Ne ende nuk kemi një motiv se pse u bënë ato vrasje, hamendësimet mund të jenë të pafundme. Por ne na duhet një vulë legale për ta besuar një gjë të tillë dhe për të thënë diçka tjetër, duhet emër dhe mbiemër, e thënë sërish nga drejtësia. Përtej fakteve shumë të njohura; kush tha: Qëlloni?!Kjo është dilema! Duke parë se çfarë ka ndodhur në 15 vjet, pjesa tjetër e medaljes është ajo që 21 Janari është si një ditë zahmeti; Zahmet për pushtetin e djeshëm dhe opozitën e sotme, e cila është në bankën e të akuzuarve dhe e numëron këtë ngjarje si një nga arsyet pse iku nga pushteti më 2013-n. Zahmet edhe për këtë qeverisje e cila e pret 21 janarin me të njëjtin motiv, me të njëjtat fjalë duke pritur drejtësi, por duke qenë edhe e pafuqishme të ndikojë në dhënien e vullnetit të plotë politik për hetimin e saj. Duket sikur të gjitha palët mezi ç’presin ta kapërcejnë nga data 21 në datën 22 janar”, u shpreh më tej Vangjeli.
KOHA JONË SONDAZH

