16 të vrarë brenda dy muajve, 6 janë gra
2019 nisi me vrasje. Situata e rendit është përkeqësuar pasi gjatë dy muajve të parë janë shënuar 16 të vrarë, duke shënuar rritje në krahasim me dy vitet paraardhëse. Referuar dhe të dhënave të INSTAT, në 3-mujorin e parë të vitit 2018 janë shënuar 12 vrasje, ndërsa vetëm në periudhën janar-shkurt të këtij viti janë vrarë 16 persona. Ish-drejtues të policisë thonë se kjo situatë lidhet me punën e dobët parandaluese.
Ky vit ka nisur në mënyrë negative për numrin e vrasjeve të regjistruara në vend në periudhën janar-shkurt. Numri i viktimave nga krimet kundër personit në dy muajt e parë të vitit është 16, një shifër kjo që flet përkeqësim krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë 3 mujorit të parë të 2018-ës në vend kanë ndodhur 12 vrasje, duke shënuar rritje me katër raste më shumë se viti paraardhës 2017. Për ish-drejtuesin e disa sektorëve në Policinë e Shtetit, Ismail Elezi, situata e rendit është shqetësuese, ndërsa rritja e numrit të vrasjeve sipas tij lidhet me punën e dobët në parandalimin e ngjarjeve kriminale.
”Policia e Shtetit në momentin që ne flasim është në trysni të plotë. Të pretendosh se policia e shtett është në krye të detyrës do të thotë se realisht nuk e njeh situatën. Ajo që e ka çuar në këtë situatë për të cilën ne flasim unë mendoj se nuk është gjë tjetër veçse kupola drejtuese e policisë së shtetit, e cila tashmë është jashtë funksionit. Kjo polici shteti di të përdorë ndonjë gaz helmues”.
Vetëm për këtë vit 6 gra mbetën viktima. Ndaj tyre vërshojnë pa mëshirë plumba dhe motivet janë sa banale por edhe tregojnë gjendjen e familjes shqiptare. Sociologët thonë se shoqëria shqiptare është në depresion dhe se dhuna i ka rrënjët në mentalitetin e vjetër dhe gjendjen ekonomike. Në ditën kur dashuria do të duhet të ishte kryefjalë një tjetër grua u vra në kryeqytet. Lirie Xhepa e çoi në gjashtë numrin e grave të mbetura viktimë këtë vit, si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshortët apo të afërmit. Sociologët thonë se shoqëria shqiptare është në depresion dhe një nga arsyet e dhunës i ka rrënjët tek mentaliteti i meshkujve shqiptar që e konsiderojnë bashkëshorten pronë.
6 krimet e rënda
Në ditën e dytë të vitit të ri, Gazmend Musta, pas një sherri banal vrau me thikë gruan dhe motrën e saj. Grindja e fundit ishte fatale për të dhe për të motrën 19-vjeç, e cila duke tentuar ta shpëtonte ju ndërpre jeta nga 15 goditje me thikën e kuzhinës. Gazmend Musta, i dyshuari që i qëlloi për vdekje të dyja gratë, menjëherë pas krimit mori fëmijët dhe shkoi ne policinë lokale. Në gjykatë ai shpjegoi se kishte shkuar ne polici bashkë me dy fëmijët në mënyrë që mos t’i merrte askush tjetër vajzën dhe djalin, por ti rrisë shteti. Gazmend Musta ishte braktisur nga familja, e cila nuk kishte bërë asnjë përpjekje për t’i siguruar një avokat mbrojtës, e për këtë arsye gjyqtarja Marsela Balilaj caktoi një avokat falas.
Një tjetër krim i rëndë u shënua të hënën e 14 janarit, ku për hakmarrje ndaj ish-gruas, 52-vjeçari i vret prindërit dhe më pas vetëvritet. Me idenë e qartë, në orën 5:30 të mëngjesit, Majlind Lila shkoi në rrugën ”Kristaq Mone”, në zonën e njohur si ”Astiri” në kryeqytet, aty ku jetonin prindërit e ish-bashkëjetueses. Majlind Lila ka bashkëjetuar me vajzën e çiftit Mata në Suedia. Nga marrëdhënia e tyre ata kanë edhe një vajzë të vogël. Mësohet se Majlind Lila ka patur konflikte të përsëritshme me Nevilën. Kjo e fundit nuk kishte pranuar që të kthehej nga Suedia me bashkëjetuesin e saj dhe për këtë arsye ai i ka vrarë prindërit.
E kishte denoncuar në komisariatin e Vlorës që ishte afër banesës por siç ndodh rëndom, kallëzimin e kishte tërhequr. Sherri i fundit për Eva Lera rezultoi tragjik, pasi humbi jetën nga duart e bashkëshortit. Krimi në familje që tronditi opinioin publik, u shënua paraditen e 6 shkurit dhe nga këqyrja e ekspertëve, mësohet se 45-vjeçarja u mbyt me duar.
Me tre plumba, punonjësi i Gardës së Republikës, 44-vjeçari Alket Arapaj vrau gruan Ervilma Seferaj, 36-vjeç në sy të vajzës 3-vjeçare. Krimi dyshohet se ka ndodhur për shkaqe xhelozie, ndërsa prej disa kohësh e ndjera i kërkonte divorcin. Pas krimit të rëndë ku ekzekutoi me 3 plumba bashkëshorten e tij, gardisti, Alket Arapaj ka tentuar ti jap fund jetës së tij në ambienetet e drejtorisë së policisë së Tiranës. Në kushtet e tronditjes së thellë psikike, 44-vjeçari nuk e ka besuar atë kryer, ndërsa ka shprehur pendesë për atë që ka ndodhur. Ai është shprehur se dyshonte se Ervilma Seferi, gruaja e tij e tradhëtonte madje para disa muajsh ajo i kishte kërkuar që të divorcoheshin.
E masakruar, e vrarë me tre plumba dhe e hedhur në ferra. Ky ishte fundi tragjik për Lirie Xhepa, 49-vjeçarja e cila u gjet e pajetë në ditën e të dashuruarve. Autori i krimit është kunati i saj, i cili thotë se vrasja ndodhi për arsye pronësie dhe për lidhjet e shumta që kishte kunata e tij. Gruaja u gjet e masakruar në afërsi të Liqenit të Sharrës dhe në trup kishte shenja të cilat mendohen se mund të jenë bërë më mjete të forta si dhe dy plumba. Lirie Xhepa ishte nënë e 4 fëmijëve dhe prej vitesh ajo banonte me dy djemtë e saj. Më i madhi ndodhet në Londër, ndërsa djali i dytë ndodhet në burg për arsye që nuk dihen. Bashkëshorti i saj ishte ndarë nga jeta vite më parë dhe 49-vjeçarja jetonte e vetme me dy fëmijët e saj.
KOHA JONË SONDAZH

