“17 euro për një udhëtim vajtje-ardhje”, PD denoncon konçesionin Milot-Fier

Partia Demokratike denoncon konçesionin e rrugës Milot – Fier si një skemë korrupsioni.

Përmes një deklarate për shtyp, ish-deputeti Enkeled Alibeaj akuzoi kryeministrin Rama dhe ministren e Energjitikës, Belinda Balluku se nëpërmjet këtij tenderi po planifikojnë të vjedhin para publike duke rritur kostot e rrugës.

Sipas tij për këtë konçesion ka vetëm një ofertues, gjë e paralajmëruar siç tha Alibeaj, nga PD që në muajin shkrut.

Në zyrat e qeverisë shqiptare këto ditë po përgatitet farsa e një tjetër koncesioni, i destinuar të dështojë. Rruga Milot-Fier, me çmimin stratosferik 1.2 miliard euro, ka vetëm një ofertues dhe kjo është kompania greke Terna. Ka shkuar pikë për pikë siç e kemi parashikuar ne, që në shkurt, akoma pa u hapur tenderi farsë. Belinda Balluku nuk iu përgjigj atëherë pyetjes se çfarë e lidh me kompaninë greke. As sot nuk është në gjendje të shpjegojë pse vetëm kompania greke mori pjesë në tenderin që ajo dhe Edi Rama e shpallën me bujë të madhe disa javë më parë”, deklaroi Alibeaj.

Më tej ai tha se kostoja 1.2 miliardë euro e rrugës është e fryrë për të rritur çmimin e kalimit të udhëtarëve. Sipas ish-deputetit të PD, çdo qytetar për një udhëtim vajtje ardhje në këtë autostradë do të duhet të paguajë 17.4 euro.

Me kushtet e vendosura nga qeveria në ikje, koncesioni është një masakër financiare për qytetarët. Qeveria në ikje kërkon që çdo automjet që kalon në këtë rrugë, të paguajë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje. Kjo është vjedhja më e madhe e qeverisë në ikje, e planifikuar në kulmin e pandemisë. Kur shqiptarët ishin të tmerruar nga karantina, nga virusi i panjohur, kur mbi 100 mijë prej tyre humbën vendet e punës dhe bizneset falimentuan apo u dobësuan, Edi Rama dhe Belinda Balluku planifikuan t’i vjedhin edhe më shumë. Kostot e rrugës janë shumëfishuar për të rritur çmimin e kalimit të udhëtarëve. 17.4 euro për një udhëtim në një rrugë ku më shumë se gjysma është e ndërtuar me para publike, do të thotë vetëm nxitim për mbyllje pazari.”, vijoi ish-deputeti.

Në fund  të deklaratës së tij për shtyp, Enkeled Alibeaj u shpreh se PD nuk do të njohë asnjë vendim të marrë nga kjo qeveri 12 muaj para zgjedhjeve pa iu nënshtruar më parë ligjshmërisë së vendimit.

Ky projekt korruptiv, që rëndon akoma më shumë xhepat e shqiptarëve nuk ka për të patur sukses! Është një aferë që ka për të dështuar. Partia Demokratike i ka bërë thirrje  çdo kompanie të tërhiqet nga ky projekt që vjedh qytetarët në ortakëri me Edi Ramën. Ne e kemi bërë të qartë për çdokënd: Nuk do të njohim asnjë vendim të marrë nga kjo qeveri 12 muaj para zgjedhjeve, pa iu nënshtruar më parë ligjshmërisë së vendimit. Në rastin e Milot-Fier gjithçka vjen era korrupsion dhe vjedhje!”.

SHKARKO APP