17 vjeçari i masakruar, xhaxhai: Eskavatoristi e vrau dhe fshehu kufomën

17­-vjeçari i cili u gjet i masakruar në landfillin e Sharrës, është përcjellë dje për në banesën e fundit. I riu u vra teksa punonte në turnin e tretë në landfilldin e Sharrës, por vdekja e tij e papritur i ka lënë një peng familjes për ndëshkimin e përgjegjësve.
Familja e Ardit Gjoklajt akuzon eskavatoristin Edmond Kollari se, pasi e ka goditur 17­-vjeçarin, e ka fshehur kufomën mes plehrave për më shumë se 10 orë. “U masakrua atje nga eskavatoristi, atë e kanë lënë 10 orë pa treguar hiç, kanë dashur ta zhdukin fare sipas atyre. Kemi njoftuar policinë. Të shtunën në darkë ka ikur turn i tretë, të dielën në mëngjes s’ka dalë hiç dhe nuk ka ardhur në shtëpi. Kemi dalë dhe kemi kërkuar gjithë ditën deri në orën 12:00, kemi njoftuar policinë. Pas orës 3 e kanë gjetur në mbeturina të fshehur”.
Me dhimbjen e madhe të humbjes së adoleshentit, xhaxhai i tij Lush Gjoklaj, në emër të familjes kërkon nga ana e institucioneve zbardhjen e të vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. “Shtetit ia lëmë në dorë, shtetit se eskavatoristi që e ka mbytur dhe ka dashur ta fshehë, na ka borxh si rregull gjithë jetën”, thotë ai për Tv Klan.
Ardit Gjoklaj ishte djali i një oficeri policie, që kishte një javë që kishte filluar punë në landfill për të siguruar para për vitin e ri shkollor. Edurim Teqja, 48 vjeç, administratori i firmës 3R, përgjegjëse për seleksionimin e plehrave është shpallur në kërkim si i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ndërsa katër punonjës, mes tyre dhe eskavatoristi, janë arrestuar pas ngjarjes. Ditën e djeshme, trupi i 17-­vjeçarit, Ardit Gjoklaj u preh në varrezat e Sharrës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?