19.9 mln dollarë për identifikimin, kryqëzimi i të dhënave pas votimit, plan B nëse prishet pajisja
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit çdo qytetar që do të shkojë për të votuar do të identifikohet elektronikisht nga pajisja e cila do të vendoset në të gjitha qendrat e votimit.
Pas firmosjes së kontratës me Smartmatic, në një intervistë për Rtv Ora, nënkomisionerja Lealba Pelinku tregon që negociatat me kompaninë nuk kanë qënë të lehta, por sipas saj rezultati final ja vlen për një proces të besueshëm zgjedhor.
“U realizua nënshkrimi i kontratës për vlerën 19.9 milinë dollarë pa TVSH, kemi lidhur kontrratën dhe presim të nisë implementimi që nesër.”
Pajisja do të jetë offline ndërsa kryqëzimi i të dhënave do të bëhet pas përfundimit të procesit të votimit.
“Është instrument që do të shmangë votimin e shumëfishtë dhe problematikat e kahershme që kanë qenë në lidhje me votimin dhe në bindjen time personale patjetër që do të ketë një efekt thelbësor në zgjedhje të lira dhe të ndershme.”
Javën e ardhshme kompania do të bëjë testimin e pajisjes që do të përdoret për identifikimin biometrik.
Pas testimit, kompania Smartmatic do të nisë punën për prodhimin e e pajisjeve.
Por çfarë ndodh nësë ditën e zgjedhjeve pajisja mund të mos funksionojë?
“Parashikohet zëvendësimi i pajisjes brenda dy orësh dhe suport teknik për çfarëdo lloj probematike që mund të lindë gjatë procesit të votimit nga ana e kompanisë.”
Pelinku tregon që pajisjet do të jenë pronë e KQZ ndërsa kompania ka rënë dakord për të bërë të gjitha përditësimet në 5 palë zgjedhje.
Mosdakordësia mes PS dhe PD mund ta çojë pilotimin e votimit dhe numërimit elektronik drejt dështimit pavarësisht se Pelinku mendon se ky proces duhet bërë në këto zgjedhje.
“Jemi në afate limit por mbetemi ende në pritje të vendimmarjes për zonën ku do të implementohet.”
Identifikimi elektronik në të gjithë vendin dhe pilotimi për votimin dhe numërimin elektronik u dakordësuan mes PD dhe PS në marrëveshjen e 5 qershorit.