19 marrëveshje mes Shqipërisë dhe Kosovës, analistët: Problem barrierat jotarifore dhe standardet e dyfishta
Mes qeverisë ”Rama 3” dhe asajt të Albin Kurtit u firmosën 19 marrëveshje, një prej të cilave është edhe dakordësia që i hap rrugë bashkimit doganor dhe lehtësive në tregtinë mes vendeve. Analistët janë të mendimit se bashkëpunimi mes dy qeverive është pozitiv, por duhet më shumë punë për të zgjidhur disa çështje si tarifat jodoganore dhe vendosja e standardeve të njëjta mes dy vendeve.
“Bashkimi doganor proces i gjatë, nuk mbaron vetëm me një firmosje”, shprehet Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
“Çështja që krijon konflikt ka të bëjë me barrierat jotarifore dhe teknike. Kemi bërë debat për qumështin, çimenton, grurin. Nuk bëhet fjalë vetëm për trajlerat e Shqipërisë dhe Kosovës. Janë trajlerat që vijnë në Durrës dhe kalojnë në Kosovë për të shkuar më pas në shtetet e tjera”, argumenton gazetari i ekonomisë, Bardh Sejdarasi.
Profesori Ardian Civici thekson se “duhet të pranojmë standarde të përbashkëta për të dyja vendet, ndërkohë që barrierat jotarifore janë dhe midis vetë vendeve të rajonit”.
Zv/ministri i Financave, Besart Kadia vlerëson se me marrëveshjen e firmosur reduktohet me 90% kontrolli i mjeteve që transportojnë mallra. “Shqetësim ka qenë dhe koha që u duhej trajlerave për t’u skanuar. Është vendosur që nga 100%, kontrolli të bëhet në 10%. Pra, në bazë të riskut, vetëm një pjesë e tyre të kontrollohen. Kjo është pozitive”.