2 prilli, Berisha: Frymëzim, në 11 maj ndahen dy epoka

Protesta e 2 prillit të vitit 1991 kundër regjimit komunist që përfundoi me 4 viktima në Shkodër. Kjo për Sali Berishën duhet të jetë burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët për zgjedhjet e 11 majit që të zgjedhin Partinë Demokratike.
“Ata janë sot burim drite, burim frymëzimi për çdo qytetar që i beson lirisë dhe votës së saj. Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e saj”.
11 majin e sheh jo si një ditë të zakonshme për zgjedhjet parlamentare, por një datë historike që sipas tij duhet të ndajë epokat. “11 Maji është dita që ndan histori dhe epoka, ndan diktaturën e bazuar në drogë, nga shteti i të drejtës, liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Ndan varfërinë dhe mjerimin në rritje të shqiptarëve nga rruga e mirëqenies, e begatimit të pandalshëm të tyre”.
Ai tregoi bindje për fitore në 11 maj dhe u shpreh se në këta datë do firmosin projektin e ëndrrës shqiptare. Berisha pati dhe një komunikim me median ku deklaroi se nga ky qark do nisë rotacioni politik.
Në atë protestë mbetën të vrarë 4 vetë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, që më vonë u shpallën dëshmorë të demokracisë. Protesta ishte e para e një serie ngjarjesh dhe grevash që çoi më pas në rrëzimin e sistemit në zgjedhjet e 22 marsit 1992.