2 viktima dhe 152 raste të reja, preken mësues dhe gjyqtarë në Shqipëri

Pandemia e Covid-19 vijon të jetë me shifra të larta në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë raportoi se betejën në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar dy pacientë të prekur nga virusi vdekjeprurës. Në deklaratën për shtyp, Mirela Cami nga Ministria e Shëndetësisë, tha se ”Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me Covid-19 një 57-vjeçar dhe një 65-vjeçare nga Tirana, me sëmundje të bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve”,- tha Cami.

Nga ana tjetër, rastet ditore të identifikuara si rezultat i gjurmimit, testimit dhe hetimit epidemiologjik janë 152 dhe shpërndarja si vijon ”68 raste në Tiranë, 16 në Elbasan, 11 në Durrës, 9 në Shkodër, 8 në Vlorë, nga 7 raste Kavajë, Berat, nga 5 raste Fier, Pukë, 3 në Lushnje, nga 2 raste në Kamëz, Gramsh, Kuçovë, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Rogozhinë, Mat, Vau i Dejës, Divjakë, Dibër”.

Situata në spitale vijon të jetë e qëndrueshme. ”Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 171 pacientë, 18 në terapi intensive nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar”,- tha më tej Cami.  Lajmi i mirë në 24 orët e fundit është se 53 qytetarë janë shëruar, duke e çuar në 6668 që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton numrin unik të urgjencës kombëtare 127, në rast se keni shenja të sëmundjes dhe dyshoni se jeni i prekur nga Covid-19. ”Qëndroni në kontakt me mjekun e familjes dhe për çdo informacion të sigurt rreth koronavirusit, mund të telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ministria përsërit apelin edhe për ku mësuesit dhe nxënësit, të cilët do të jenë prioritet për testimin dhe që të respektojnë protokollet e sigurisë”.

Një ditë pas nisjes të vitit të ri shkollor, raportohet për prekje të stafit mësimor me Covid-19. 10 mësues të një shkolle në Kolonjë janë karantinuar. Ata dyshohen se janë të infektuar me Covid-19. Kurse në Elbasan, 7 mësues dhe një nxënës janë konfirmuar pozitivë. Kjo ka shtuar frikën e prindërve dhe nxënësve. Vetëkarantinimi i 10 nga 39 mësuesit e shkollës në Kolonjë janë në pritje të përgigjes së tamponit, ka ndikuar në zhvillimin e procesit mësimor të 200 nxënësve.

“Mësuesit për çdo shqetësim duhet të kontaktojnë me koordinatorin e shkollës, i cili lidhet me strukturat e shëndetësisë për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar. Është shumë i rëndësishëm në këtë moment, kur shtohet rreziku me hapjen e shkollave, bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve për të kufizuar përhapjen e infeksionit. Është e rëndësishme të respektohen rregullat e higjienës, distancimit dhe përdorimit të maskës kudo në ambientet e mbyllura dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën”, thotë Ministria e Shëndetësisë.

Në Gjykatën e Kurbinit janë ndërprerë proceset gjyqësore, ku përjashtim bëjnë vetëm rastet urgjente. Kjo pasi tre gjyqtarë të Gjykatës Kurbin kanë rezultuar të prekur nga Covid-19. Kjo situatë vijon prej 1 javë dhe fillimisht u karantinua i gjithë personeli përfshire dhe prokurorinë e cila ndodhet në të njëjtat ambiente. Punonjësve ju është bërë testimi dhe kanë rezultuar negativ, duke bërë që pjesa më e madhe e tyre të rikthehen në pune e të tjerë pritet ende të marrin përgjigjen e tamponit.

COVID-19 – Statistika (15 Shtator 2020)

Testime totale 75576
Raste pozitive 11672
Raste të shëruara 6668
Raste aktive 4664
Humbje jete 340 (Qarku Tiranë 163, Durrës 45, Shkodër 39, Elbasan 21, Fier 17, Korçë 15, Lezhë 13, Kukës 8, Dibër 7, Vlorë 6, Gjirokastër 4, Berat 2).

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 2366
Durrës 520
Shkodër 362
Lezhë 267
Elbasan 248
Korçë 209
Fier 192
Vlorë 170
Kukës 140
Berat 92
Dibër 51
Gjirokastër 47

SHKARKO APP