2 viktima, rriten rastet e reja. Daja: 150 të prekur me Covid-19 në 24 orë

Me nisjen e vitit të ri shkollor, janë shtuar rastet me Covid-19. Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë, bëri me dije se janë shënuar 150 raste të reja nga 809 testime të kryera në 24 orët e fundit. Fatkeqësisht betejën me virusin vdekjeprurës nuk e kanë fituar dy qytetarë të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 364. Në deklaratën për shtyp, Dr.Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik, tha se ”Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me Covid-19 një 75-vjeçar nga Tirana dhe një 85-vjeçar nga Shkodra. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve”.

Shpërndarja gjeografike e të konfirmuarve pozitivë në 24 orëve të fundit është si vijon: 66 raste në Tiranë, 9 raste në Elbasan, 8 raste në Fier, 6 raste në Shkodër, Durrës, Kavajë, Vlorë, 5 raste në Korçë, Kukës, Gjirokastër, 3 raste në Lezhë, Mirëditë, Bulqizë, 2 raste në Lushnje, Mallakastër, Pogradec, Divjakë, Malësi e Madhe, Peqin, Kolonjë, 1 rast në Rrogozhinë, Berat, Librazhd, Sarandë, Gramsh. Nga ana tjetër, Daja theksoi se situata në spitale vijon të jetë e njëjtë ku aktualisht 189 persona po marrin shërbim mjekësor. 16 pacientë janë në terapi intensive dhe 8 janë të intubuar. Lajmi i mirë është që janë shëruar 55 persona të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i’u kujton edhe njëherë të mos e ulni vigjilencën. ”Përhapja e virusit mund të frenohet vetëm nëse në çdo moment jemi të kujdesshëm dhe respektojmë; distancimin fizik me të tjerët, larjen ose dezinfektimin e duarve, vendosjen e maskes ose barrierës mbrojtëse. Këto veprime të thjeshta e kufizojnë përhapjen e virusit të rrezikshëm. Ministria e Shëndetësisë ju rikujton numrin 127 të Urgjencës Kombëtare nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid-19. Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes, për shërbim psikologjik si dhe për çdo informacion tjetër rreth Covid-19”,- tha në fund të deklaratës për shtyp, Dr.Rovena Daja.

Referuar situatës aktuale, ku Covid-19 ka prekur disa shkollla, epidemiologu Rexhep Muja ka sugjeruar vetëm zëvendësimin e mësuesve të prekur apo që janë raste kontakti. ”Nuk është synimi ky, nuk mund të mbyllim shkolla. Për situatën aktuale kemi kërkuar zëvendësimin e mësuesve të prekur apo të dyshuar, me mësues të tjerë”, shtoi epidemiologu. Muja tregon se në javët e para të vjeshtës, situata epidemiologjike është e qëndrueshme, ndërsa virusi në qarkullim nuk është agresiv si më parë. Shenjat klinike të Covid-19 janë zbutur dhe në shumë raste të prekurit po e kalojnë si rrufë të lehtë.

Covid-19 Statistika (21 shtator 2020)

Testime totale 80539
Raste pozitive 12535
Raste të shëruara 6995
Raste Aktive 5176
Humbje jete 364 (Qarku Tiranë 174, Durrës 46, Shkodër 40, Elbasan 23, Fier 18, Korçë 17, Lezhë 15, Kukës 10, Dibër 8, Vlorë 7, Gjirokastër 4, Berat 2).

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 2550
Durrës 564
Shkodër 376
Lezhë 300
Elbasan 299
Korçë 245
Fier 236
Vlorë 191
Kukës 146
Berat 117
Dibër 76
Gjirokastër 76

SHKARKO APP