20 ditë ngjarje; 5 të vrarë, grabitje masive dhe Klement Balili

Redjon Shtylla

2019 nisi me vrasje. Krimi në familje tronditi shqiptarët, në ditën e dytë e Vitit të Ri. Gazmend Musta, pas një sherri banal, vrau me thikë gruan dhe motrën e saj. Opinioni publik, mësoi sesi një gjyqtar kërkonte favore seksuale dhe një shumë monetare për të dhënë një vendim pro një nëne të divorcuar. Më pas, në bazën ushtarake në Pashaliman në Vlorë, u grabit një arsenal armësh dhe ende sot nuk ka përgjegjës për këtë grabitje të rrezikshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Krimi i rëndë në familje u shënua të hënën e 14 janarit, ku për hakëmarrje ndaj ish-gruas, 52-vjeçari i vret prindërit. Dorëzimi i bujshëm i Klement Balilit pushtoi për ditë me rradhë shtypin vendas dhe atë të huaj. Një vrasje me fjalët “Pse më pe”, ndodhi në Korçë. Fillimi i 2019 ka nisur me një sërë grabitjesh në kryeqytet dhe jo vetëm. Në 3 javë në Tiranë janë kryer disa tentativa grabitjesh të bankomateve dhe grabitja e një argjendarie në një qendër tregtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pas 24 seancash, Gjykata dënon me burgim të përjetshëm, Fadil Kasemin, vrasësi i ish-gjyqtares, Fildes Hafizi. Krim i ndodhur në 2017 dhe tronditi mbarë opinionin publik. Më poshtë do të lexoni në mënyrë të përmbledhur, ngjajaret që tronditën vendin në vetëm 20 ditët e para të vitit.

2 janar-Vrasësi i dy grave: Më ofenduan

Gentjana dhe Mersia nuk jetojnë më pasi u vranë në shtëpinë e tyre. “Arrest me burg” është masa që dha Gjykata e Krimeve të Rënda për Gazmend Mustën, i cili akuzohet se pas një konflikti për motive banale, vrau gruan dhe motrën e saj 18-vjeç. Musta u paraqit në gjykatë kokulur dhe në lot, ndërsa i penduar ka pranuar krimin. Autori ka pasur vetëm një kërkesë; kujdesin për dy fëmijët e mitur 3 dhe 7-vjeç, të cilët deri në një vendim të gjykatës, do të jenë në kujdestarinë e vjehrrës së tij. Nga ambientet e Gjykatës, Musta deklaroi se vrau gruan pasi e kishte ajo kishte ofenduar. “Gruan e godita me thikë sepse më ofendoi, s’duroja më”, tha Musta para togave të zeza. 34-vjeçari do të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti, ndërsa në gjykatë në seancën e së shtunës nuk ka pasur asnjë të afërm të tij. Gentjana, nënë e dy fëmijëve kishte kërkuar të ishte më e lirë, mos ta mbyllnin në shtëpi dhe ta lejonin të fliste në telefon. Grindja e fundit ishte fatale për të dhe për të motrën 18-vjeç, e cila duke tentuar ta shpëtonte ju ndërpre jeta nga 10 goditje me thikën e kuzhinës. Gentiana ka kërkuar që të shkojë për vizitë tek prindërit të cilët jetonin në fshatin Drizar por hasi në kundërshtimin e bashkëshortit. Pas debateve, ajo është shprehur se do të merrte fëmijët dhe do të shkonte vetë në fshat. Kjo gjë ka zemëruar së tepërmi Gamozin, i cili është shprehur se ai ishte burri i shtëpisë dhe vendoste. Pas sherrit, ai ka rrëmbyer thikën dhe ka goditur bashkëshotren, ndërsa motra e saj ka ndërhyrë për ta ndihmuar por edhe ajo ka rënë pre e sulmit.

9 janar-Gjyqtari kërkoi seks dhe 500 euro

Edhe pse Vetting-u po kalon në sitë të gjithë strukturën e Drejtësisë në Shqipëri, ka ende gjyqtarë që nuk i frikësohen. Gjyqtari i Gjykatës së Fierit, Roland Hysi, u zbulua falë emisionit “Stop” se për një proces gjyqësore, ai kërkonte nga personi që ishte pjesë e çështjes, favor seksuale dhe një shumë momentare. Ai dhe psikologia Elona Meçani do të qëndrojnë në burg derisa prokuroria të përfundojë hetimet ndaj tyre. Gjykata e Krimeve të Rënda ju dha masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjyqtari pretendon se video e shfaqur në emisionin investigativ nuk përbën provë. Ai kërkoi të lirohej nga arresti duke pretenduar se nuk ka rrezikshmëri shoqërore. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe mbrojtësja e psikologes Elona Meçani por me këto pretendime nuk ishte dakord as prokurori dhe as gjykata. Ai akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike”. Po ashtu  mbi gjyqtarin rëndon akuza “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të drejtësisë”. Gjyqtari Roland Hysi duket tek video e emisionit kur merr 500 euro rryshfet dhe i kërkon favore seksuale një gruaje të divorcuar për ti dhënë kujdestarinë e fëmijës. Po kështu zonja i jep psikologes Elona Meçani 500 euro të tjera për gjyqtarin tjetër, Taulant Banushi, në mënyrë që ky i fundit të mos zvarrisë seancat në gjykatën e Apelit.

10 janar-Vidhen arsenal armët në bazën ushtarake

Vjedhja ka ndodhur pas orës 03:30 të datës 10 janar 2019. Nga kqyrja e regjistrave të bazës ushtarake, ka rezultuar se depot e armatimit janë lënë pa roje për rreth 4-tër orë mëngjesin e 10 janarit pasi ushtaraku është larguar për shkak të motit të ftohtë. Shërbimi i rojes është rivendosur në orën 7:00 të mëngjesit kur punonjësi që ka marrë turnin ka firmosur dokumentat pa praninë e rojes që duhet të bënte dorëzimin e rregullt të gjendjes së depos së armatimit. Vjedhja është konstatuar disa orë më vonë, ku policia ushtarake gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes ka gjetur dhe një dritare të dëmtuar në depon e armëve e cila besohet se është përdorur për të nxjerrë jashtë materialet e vjedhura. Aktualisht baza shërben për ankorimin e anijeve të rojes bregdetare shqiptare duke qënë kështu baza më e rëndësishme ushtarake shqiptare. “2 armë luftarake automatike model 56 me bajonetë shtizë, 700 fishekë luftarake 7.62 mm që përdoren nga armë luftarake pistoletë TT model 54, 3691 fishekë luftarakë që përdoren nga armët luftarake automatik blindëshpues djegës, 40 granata dore luftarake, 40 ndezës për granata dore luftarake, 1 krehër hark automatik luftarake, 1 pushkë M-4 karabinë luftarake model 14.5 me barel 5x56x45mm, 1000 fishekë luftarake model 5.56 mm x 45 mm me majë të rrumbullakët normal, 4 krehra rezervë për 30 fishekë luftarakë 5.56 mm”,-janë materialet e vjedhura. Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për 4 ushtarakët e arrestuar për grabitjen në bazën ushatarake të Pashalimanit.

13 janar-Biznesmeni u grabit nga “FNSH”

Një grabitje si në filmat aksion të Hollivudit tronditi Durrësin, teksa persona të maskuar i zunë pritë një biznesmeni pranë shtëpisë e realizuan vjedhjen e mbi 10 mijë eurove duke e lidhur atë, bashkëshorten dhe djalin, të cilin e mbajtën peng për disa minuta kur u larguan. “Skifterët” ishin të veshur me uniformë policie, më ekzaktësisht të FNSH-së (Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë). Maskat me armë kanë grabitur një biznesmen në fushën e transportit, i quajtur Elton Kelmendi. Kanë qenë tre personat që nën kërcënimin e armëve kanë arritur të mësyjnë në banesën e biznesmenit. Mësohet se autorët e kanë pritur 38-vjeçarin në ambientet e jashtme dhe në momentin që biznesmeni është afruar për të hyrë në banesë bashkë me djalin, i kanë vendosur armën në kokë. Për kapjen e grabitësve, Policia ngriti disa pika kontrolli në zonë por nuk ra në gjurmët e tyre.

14 janar-1 mijë euro, Prokurori ndalohet në gjyq

Prokuroria për Krimet e Rënda, ndaloi në sallën e gjyqit një prokuror. Spartak Çoçoli ka qenë në përgjim prej një kohe të gjatë, për një hetim që kishte nisur ndaj tij. Prokurori nuk ka bërë rezistencë dhe ka pranuar shoqërimin drejt policisë së Gjirokastrës. Prokuroria mësohet se do kërkojë një masë “arresti me burg” ndaj tij gjatë kësaj jave në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokurori akuzohej nga një qytetar se i kishte marrë 1 mijë euro për çështjen e vajzës 17-vjeçare të komunitetit rom e cila ishte rrëmbyer nga 40-vjeçari Shpëtim Muharremi por sipas tyre ai nuk ka bërë asgjë, ndërsa nuk ka kthyer as paratë. Në korrik 2018, nëna e vajzës, përveç ryshfetit, e akuzoi prokurorin edhe për dhunë ndaj saj në përfundim të seancës gjyqësore. Vajza e mitur ishte denoncuar e rrëmbyer nga familjarët e saj, mirëpo sipas pretendimit të prokurorit Çoçoli, pas kontakteve që ai ka pasur me 17-vjeçaren, ajo nuk ka pranuar vetë që të kthehej në shtëpi.

14 janar- Merr hak ndaj ish-gruas, i vret prindërit

Me idenë e qartë, në orën 5:30 të mëngjesit të së hënës, Majlind Lila shkoi në rrugën “Kristaq Mone”, në zonën e njohur si “Astiri” në kryeqytet, aty ku jetonin prindërit e ish-gruas. Aty kreu aktin e rëndë të vrasjes që tronditi Tiranën. Bujar dhe Xhevaire Mataj, burrë e grua, 63 dhe 52 vjeç, u vranë nga 52-vjeçari, i cili më pas vrau edhe veten. Autori që tronditi mbarë opinionin publik, kishte vetëm 2 ditë që kishte mbërritur nga Suedia por nuk dihet shkaku i ardhjes, apo nëse ishte deportuar pasi kishte kërkuar azil së bashku me Nevilën, vajzën e çiftit të ndjerë. Ish-vjehrrin e vrau në dhomën e ndjenjës, kurse ish-vjehrra humbi jetën nga tentativa për tu larguar nga banesa por plumbat e Lilës i morën jetën në korridor. Majlind Lila ka bashkëjetuar me vajzën e çiftit Mata në Suedia. Nga marrëdhënia e tyre ata kanë edhe një vajzë të vogël. Mësohet se Majlind Lila ka patur konflikte të përsëritshme me Nevilën. Kjo e fundit nuk kishte pranuar që të kthehej nga Suedia me bashkëjetuesin e saj dhe për këtë arsye ai i ka vrarë prindërit. Nevila reagoi në facebook, ku shkruante se e ka shumë të vështirë të kthehet në Shqipëri nga Suedia, ku edhe jeton me vajzën e saj pasi ndjehet fajtore se ajo e ka sjellë vrasësin në jetën e prindërve të saj. “Si ju vrava unë ju gjëja ime më e shtrenjtë. Më fal vëlla, më falni të gjithë. Nuk mundem të vij. Nuk u shoh dot në sy. Çfarë tu them që shpëtova veten dhe ju vrava ju. Duhet të isha unë në vendin tuaj. Unë e futa atë të sëmurë në jetën tuaj. Çfarë do ju them kur tu shoh. Pse nuk ju mbrojta dot? Pse mendova vetëm për vete? Pse…?”,-janë fjalët e saja.

15 janar-Atentat mafioz në Vlorë

Vlora është tronditur sërisht nga krismat e armëve. Në lagjen më të njohur të vrasjeve mafioze,  “Pavarësia”, u organizua një atentat, ku i plagosur nga mbetur Mikel Mehmeti, 41-vjeç, i cili ishte brenda automjetit Audi A3. Mehmeti, i cili ka marrë 3 plumba. Mësohet se vetëm në derën e parë të makinës janë mbi 5 plumba, ndërkohë që në vendngjarje janë gjetur 7 gëzhoja plumbash. I plagosuri dyshohet se janë qëlluar nga dy persona që ndodheshin në një makinë që më pas u gjet e djegur, vetëm 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Makina “Audi A3” ishte në ecje në momentin e goditjes. Rruga ku ndodhi ngjarja njihet si një rrugë ku kanë ndodhur të tjera ngjarje kriminale, ku e fundit ishte vrasja e biznesmenit Vasil Dervishaj më 7 qershor 2018.

15 janar-Dorëzohet Klement Balili

Më 15 janar, mori fund arratia më se dyvjeçare e Klement Balilit, i etiketuar si “Eskobari i Ballkanit”. Balili është dorëzuar nën shoqërinë e avokatit të tij mbrojtës pranë policisë, në një kohë kur Prokuroria e Krimeve të Rënda sapo kishte dorëzuar dosjen hetimore në në gjykatë për të paktën 4 vepra penale, më të rëndat e të cilave “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijim e pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal”. Për këto akuza, Gjykata e krimeve të Rënda mori masën e sigurisë “arrest me burg”. Vetë Balili i mohoi akuzat para gjykatës dhe kërkoi revokim të masës së arrestit por kërkesa e tij nuk u mor parasysh nga gjykata. Fjalët e vetme që ka thënë Balili para gjyqtares Miliana Muça kanë qenë: “Nuk kam asgjë për të thënë, jam i pafajshëm”. Pas përfundimit të seancës, avokati i tij Theodhori Sollaku kundërshtoi vendimin duke mohuar akuzat ndaj Klement Balilit duke lënë të kuptohet se do të apelojnë vendimin. “Nuk ka asnjë provë, direkte, indirekte apo indicie që Klement Balili është përfshirë në trafikimin e 670 kg lëndë narkotike e kapur në ishullin Zakintos”,-tha Sollaku. Gjykata për Krimet e Rënda caktoi seancën paraprake për Klement Balilin, që do të mbahet më 25 janar. Në këtë seancë, gjyqtarja Miliana Muça do të shprehet nëse do ta kalojë apo jo në gjykim, dosjen hetimore të Prokurorisë, e cila deklaroi mbylljen e hetimeve pikërisht ditën që 46-vjeçari iu dorëzua policisë. Mbyllja e hetimeve për Balilin, pas ndryshimeve të Reformës në Drejtësi duhet të vendoset nga gjykata, ndaj Klement Balili do ta presë këtë zhvillim nga Paraburgimi 302, aty ku po mbahet derisa çështja të zgjidhet në themel.

17 janar- Burg përjetë për vrasësin e Fildes Hafizit

Janë dashur 24 seanca gjyqësore, që trupi gjykues të jepte dënimin final për autorin e vrasjes së ish-gjyqtares, Fildes Hafizi. Fadil Kasemi do ti kalojë vitet e mbetura të jetës në burg, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda i dha dënim të përjetshëm, për vrasjen e ish-gruas. Ndonëse avokati Ilia Ilia kërkoi lehtësimin e masës së dënimit, duke kërkuar nga gjykata një dënim me 25 vite burg, Fadil Kasemi duket se do të kryejë një burgim të përjetshëm për krimin e ndodhur më 31 gusht të 2017-ës. Vetë ai është shprehur gjatë seancës gjyqësore se është penduar për krimin, ndërkohë që ka kërkuar të merren parasysh edhe motivet që e kanë shtyrë atë drejt vrasjes së ish-bashkëshortes, si ndalimi për të takuar fëmijët, tradhtia bashkëshortore dhe investimet e bëra karshi saj.

17 janar-18 milionë euro u grabitën me kamarierë

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për disa persona, të dyshuar për krijimin e skemave mashtruese me qëllim kreditimin e TVSH-së. Gjykata e Tiranës la të lirë 9 nga 12 personat e ndaluar, për skemën mashtuese me kredidimin e TVSH-së, me një dëm për buxhetin e shtetit në vlerën e 18 milionë eurove. Nëntë personat për të cilët u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje” rezultojnë të paarsimuar, ose me pak klasë shkollë dhe me profesione të lira si kamarier, lavazhier apo punëtor krahu dhe hamall. Ata kanë pranuar para organit të akuzës së kanë qenë thjesht të punësuar me rroge mujore dhe kanë dhënë kartat e tyre të identitetit, që më pas janë përdorur për t’i përshirë në skemën mashtuese. Për 3 shtetas të tjerë, gjykata caktoi masën “arrest me burg” me afat 30-ditor, ndërsa 13 persona vijojnë të jenë në kërkim, mes tyre edhe dy biznesmenë që dyshohet se janë organizatorët e kësaj skeme mashtruese. Sipas hetimit tatimor, disa prej bizneseve të përfshira rezultojnë subjekte VIP, ndërkohë që po hetohen edhe persona të tjerë. Për të realizuar këtë skemë mashtrimi finaciar, subjektet në fjalë kryenin blerje fiktive nga kompani që operojnë në fushën e tregtimit të produkteve ushqimore. Më pas, TVSH-në e mbledhur nga këto blerje e kanë shitur po në mënyrë fiktive te shoqëri të treta që operojnë në fushën e ndërtimit. Këto të fundit, me këto blerje ulnin fashën e pagesës mujore të TVSH-së, duke rritur shpenzimet dhe duke ulur tatimfitimin.

18 janar-Vret të riun për një fjalë goje

Kishte vetëm një vit që kishte dalë nga burgu dhe sërisht do të përfundojë pas hekurave. Olger Mustafaj, një ish-i dënuar për plagosje me kallashnikov, është autor i vrasjes në Korçë, mbrëmjes e së enjtes. Altin Balliu u vra për një fjalë goje. Autori rezulton një person me precedentë të rrezikshëm penale dhe është shpallur në kërkim. Ai rezulton të jetë banor i lagjes, pikërisht aty ku ndodhi krimi. Përplasja me 35-vjeçarin Altin Balliu i ndodhi para një lokali në Korçë. Ai po kalonte me makinë dhe rruga ishte e zënë nga mjeti me të cilin po lëviznin shokët e viktimës. Mustafaj hyri në lokal dhe gjatë sherrit verbal u dëgjuan shprehje të tipit kush jam unë, kush je ti. Më pas është larguar me makinë për t’u kthyer sërish i armatosur me pistoletë. I dyshuari e gjeti vetëm viktimën dhe e qëlloi disa herë kohën, kur ai po shkonte drejt mjetit ku ndodheshin shokët. Dy prej plumbave e prekën Balliun në kokë dhe trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Altin Balliu jetonte në fshatin Sllabinjë të Pogradecit dhe merrej me hapjen e puseve së bashku me vëllezërit.

19 janar-2019 nis me seri grabitjesh

Fillimi i 2019 ka nisur me një sërë grabitjesh në kryeqytet dhe jo vetëm. Në 3 javë në Tiranë janë kryer disa tentativa grabitjesh të bankomateve dhe grabitja e një argjendarie në një qendër tregtare. Persona ende të paidentifikuar kanë grabitur një bankomat në qytetin e Vorës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku bankomati u thye me mjete të forta. Sipas policisë, autorët nuk kanë mundur të marrin para gjatë grabitjes. Burime bëjnë me dije se grabitësit kanë vjedhur edhe para por ende nuk dihet shuma. Në datën 2 janar, në një qendër tregtare në autostradën Tiranë-Durrës, u grabitën bizhuteri dhe gurë të çmuar. Për këtë rast nuk ka pasur as njoftim nga policia e Tiranës, ndërsa mësohet se janë proceduar për shpërdorim detyre punonjësit e sigurisë së argjendarisë. Një tjetër grabitje është regjistruar në ditët e para të janarit në Urën Vajgurore, ku një bankomat është hedhur në erë dhe më pas është grabitur. Pas bankomateve, tashmë nuk po kursehen as pikat e Lotarisë Kombëtare. Një grup personash të paidentifikuar kanë sulmuar pikën dytësore të Lotarisë Kombëtare në qytetin e Elbasanit, gjatë natës. Ata ia kanë dalë mbanë të thyejnë vitrinën e qelqtë dhe të marrin brenda saj një shumë prej 20 mijë lekësh.

20 janar-Moti i keq, 7 viktima në 2 javë

7-të viktima është bilanci i të ftohtit në këto dy javë të para të vitit 2019. Moti i keq dhe temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin tonë në ditët e para të muajit janar kanë shënuar edhe disa vikima në disa qytete. Viktima e parë u shënua në Korçë. 55-vjeçari Jani Poda, baba i dy fëmijëve humbi jetën për shkak të ftohtit ekstrem. Tonin Loci nga Shkodra ishte viktima e dytë e motit të keq që “mbërtheu” Shqipërinë, pasi u u zu poshtë nga streha e karburantit ku punonte, që u shemb nga pesha e borës.  Viktima e tretë është një 60-vjeçar humbi jetën si pasojë e të ftohtit në qytetin e Korçës. Ilia Lifo u gjet i pajetë në një ndërtesë të braktisur në zonën e ish-Poligonit të Bonifikimit, të cilën e kishte përshtatur si banesë dhe jetonte i vetëm. Viktima e katër është një punonjës i OST, i cili humbi jetën në Perlat të Mirditës teksa po punonte për rregullimin e një defekti. Gjovalin Angjelin Lesh Qafa, 58-vjeç, është gjetur i pajetë. Mësohet se 58-vjeçari nga Laçi sipas informacioneve ka pësuar infarkt.  Në datën 11 janar një 38-vjeçar u gjet i pajetë në banesën e tij në qytetin e Pogradecit. Anastas Shuka vuante nga skizofrenia dhe jetonte i vetëm pas vdekjes së dy prindërve të tij, ndërsa në dhomën ku është gjetur i pajetë mungonte ngrohja. Viktima i 6-të është një endacak, i cili u gjet i pajetë në lagjen nr 4 të qytetit të Durrësit. Viktima është identifikuar si Viktor Dhima. Endacaku ka kaluar natën në rrugë mes të ftohtit të acartë, i mbuluar vetëm me një batanije. Edhe pse ka tentuar të gjejë një strehë, duke u futur në një ngrehinë në ndërtim e sipër, apo të braktisur ai nuk i ka mbijetuar temperaturave të ulëta të natës. Në kryeqytet u shënua viktima e 7-të nga i ftohti. 68- vjeçari Hasan Hykja ka ndërruar jetë pranë Urgjencës së QSUT.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?