20 korrik 1969, “Apollo 11” mbërrin në hënë. Një hap i vogël për njeriun, por një hop gjigant për njerëzimin
Nga Albert Vataj
Ishte një ditë korriku, kur njerëzimi ngriti sytë drejt qiellit me një besim të ri dhe një ankth të papërshkrueshëm. 20 korrik 1969 nuk ishte më një datë në kalendar, por një portë që u hap drejt së panjohurës. Në atë çast, planeti ynë u bë më i vogël dhe ëndrrat më të mëdha.
Ky hap i parë, i dridhur dhe i ndrojtur, në një botë që për shekuj ishte strehë legjendash, mitesh dhe përfytyrimesh, ishte si çapi i një fëmije që prek për herë të parë një tokë të huaj. Një hap i matur mbi një truall të mbuluar me mister, nën një qiell ku heshtja tingëllon më fort se çdo britmë. Në atë grimë sekonde, mbi sipërfaqen e Hënës rëndonin miliona frymëmarrje të mbajtura pezull, ankthi i një planeti të tërë, frika nga e papritura, makthi i humbjes, por edhe një besim i pashprehur se njerëzimi po ngjitej në një shkallë më lart të vetvetes.
Në atë pluhur të argjendtë hënor, u skalit gjurma e parë e njeriut jashtë Tokës. Ajo gjurmë është më shumë se një shenjë e çizmes së Neil Armstrong: është vula e guximit njerëzor, një testament i etjes për të ditur e për të shkuar më tej. Është një monument i padukshëm i ngritur në një peizazh pa rrugë, ku hapi i njeriut u bë një kapitull i ri për shkencën, për ëndrrën, për të ardhmen.
“Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin,” tha Armstrong me një qetësi të përmbajtur, ndërsa zemra e tij dhe e miliona të tjerëve rrihte me forcë. Në atë çast, 400 mijë kilometra larg, buzët e një planeti të tërë shqiptojnë me të njëjtat pulsime këtë fjali, këtë varg që u bë himn i kurajës.
Ishte misioni i Apollo 11, një sfidë e ethshme e mendjes dhe teknologjisë, që përfshiu qindra mijëra njerëz, shkencëtarë, inxhinierë, vizionarë. Dhe atë ditë, kur Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin zbritën në hënë, mbi 500 milionë shpirtra nga e gjithë bota, të mbledhur rreth televizorëve, u bënë dëshmitarë të një mrekullie. Të ngrirë nga emocioni, të pushtuar nga entuziazmi, ata panë njerëzimin të zbarkonte në një botë tjetër.
Që nga ajo ditë, njeriu nuk është më vetëm një vëzhgues i heshtur i yjeve. Ai nuk është më thjesht një krijesë e lidhur me tokën nga graviteti dhe frika. Ai është një sfidant, një eksplorues me sytë nga qielli dhe me ëndrra të pafundme për t’u lëshuar në univers. Në atë hap të parë mbi hënë, njerëzimi gjeti jo vetëm një tjetër botë, por edhe guximin për të ecur përtej kufijve të tij.
KOHA JONË SONDAZH

