201 ankime në 29 muajt e bllokimit të Gjykatës Kushtetuese
Në majin e vitit 2018, Gjykata Kushtetuese doli jashtë funksionit për shkak të procesit të Vetting-ut. Ajo nuk kishte më numrin minimal të 6 gjyqtarëve për të dalë në seancë gjyqësore. Nga ky moment të gjithë ankimet që depozitoheshin në këtë gjykatë, që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, regjistroheshin dhe arkivoheshin në pritje të gjykimit.
Nga bllokimi i gjykatës më shumë se dy vite më parë e deri në tetor të këtij viti totali i ankimeve të depozituara në të është 201. Ankimuesit janë palë në gjykime të zakonshme penale, apo civile, por edhe institucionet më të rëndësishme të vendit, si Presidenti i Republikës.
Kushtetuesja nisi të shpluhrosë dosjet pas nëntorit 2019, kur trupës së saj të përbërë vetëm nga anëtarja Vitore Tusha, iu shtuan anëtaret Elsa Toska, Marsida Xhaferrllari dhe Fiona Papajorgji. Emërimet e reja krijuan mundësinë e krijimit të Kolegjeve me tre anëtarë, për të bërë të mundur shqyrtimin paraprak të ankimeve, ku vendoset nëse ankimet kalojë apo jo për shqyrtim në seancë gjyqësore.
Nga nëntori i vitit 2019-2020 kolegjet tre anëtarëshe të Gjykatës Kushtetuese kanë marrë në 136 raste për moskalim të ankimeve në shqyrtim gjyqësor. Kjo do të thotë që diferenca prej 65 dosjesh i përket totalit të rasteve ende të pashqyrtuara paraprakisht dhe atyre të kaluara për shqyrtim, siç është edhe ankimi i Presidentit kundër ligjit që i hapi rrugë prishjes së Teatrit Kombëtar, apo vlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.