2021 solli rritje çmimesh, gjeli i detit i papërballueshëm
Festa e vitit të ri kërkon shpenzime. Produktet pësuan një rritje stratosferike në Shqipëri që në nisje të vitit 2021 duke bërë që qytetarët të shpenzojnë më shumë se vitin e kaluar për të blerë produkte që iu duhen për natën e ndërrimit të viteve e jo vetëm. Periudha e festave kërkon shpenzime të konsiderueshme e sidomos ajo e natës së ndërrimit të viteve.
Si nisi rritja e çmimeve këtë vit?
E gjitha nisi në fillim të vitit 2021 me rritjen e çmimeve të cigareve, miellit dhe vajit në pikat e pakicës në vend. Paketat e cigareve u shtrenjtuan me 10 lekë, çmimi i vajit vegjetal për gatim me 20 lekë për litër, çmimi i miellit u rrit me 6 % ose 300 lekë për kuintal.
Fillimisht u raportua se çmimet e vajit dhe miellit u rritën si pasojë e shtrenjtimit të lëndës së parë në tregjet ndërkombëtare mirëpo më pas kjo dukuri u pasua dhe me rritje të tjera.
Instituti i Statistikave raportoi se çmimet e produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike u rritën me 4.6%, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Sipas INSTAT, rritja e çmimeve ishte më e lartë tek zarzavatet dhe patatet me 18.3%. Rritja nisi që në muajt e parë të vitit, por është përshpejtuar më tej gjatë verës që lamë pas. Në shumë bare çmimi i kafesë u rrit me 10 lekë,duke variuar në 90 apo 100 lekë, ndërsa ende ka bare që e kanë ruajtur çmimin në 80 lekë.
Frutat dhe perimet gjithashtu kanë pësuar rritje, por çmimet do të kapin “kulmin” në fund të këtij viti, duke marrë shkas edhe nga festat.
Kur flasim për festa, gjeli i detit është pjata tradicionale e Vitit të ri që gjendet në tryezën e familjeve shqiptare. Mirëpo këtë vit, gjeli i detit po shitet me 200 deri 300 lekë më shumë për kilogram duke rrezikuar që të rritet dhe më tej. Një vit më parë çmimi i gjelit të detit ishte 8 mijë lekë, ndërsa sot është 10 mijë lekë duke e bërë ketë shifër të papërballueshme, veçanërisht për pensionistët.
Tregtarët pranojnë se çmimi është rritur, por, sipas tyre, ka ardhur nga rritja e misrit që përdorin për t’i ushqyer. Tregtarët thonë se në këto ditë të fundit para ndërrimit të viteve, çmimi pritet të rritet edhe më shumë, deri në 1200 lekë kilogrami, gjë që ka ulur ndjeshëm edhe kërkesën për blerje. Diçka e tillë ka ndikuar tek qytetarët të cilët mendojnë që të ulin shpenzimet për konsum këtë fundvit duke marrë parasysh shpenzimet.
Mielli ka pësuar një rritje prej 20 lekësh, nga 100 lekë është bërë 120 lekë. Kjo ka ndikuar edhe çmimin e bukës që gjithashtu ka lëvizur me 20 lekë duke shkuar nga 70 në 90 lekë.
Vaji ka pësuar një rritje prej 50 lekësh duke shkuar nga 180 në 230 lekë.
Sheqeri është bërë 90 lekë nga 75 që ka qënë fillimisht duke pësuar kështu një rritje prej 15 lekësh.
Mishi ka pësuar një rritje prek 100 lekësh, pra nga 900lekë/kg ka shkuar në 1000 lekë për kg e kjo ka bërë që dhe nënproduktet e tij të pësojnë një rritje prej 50 lekësh pra nga 250 në 300 lekë.
Qumështi ka pasur një rritje prej 20 lekësh duke shkuar në 160 lekë nga 140 që ishte në fillim.
Gjalpi dhe djathi janë rritur me 100 lekë duke kapur vlerën e 800 lekë për kg tek gjalpi dhe 650 lekë/kg nga 550 tek djathi.
Vezët janë rritur me 5 lekë duke shkuar në 23 lekë për kokërr nga 18 që ishte fillimisht.
Makaronat janë rritur me 10 lekë duke shkuar në 90 nga 80 lekë si çmim fillestar, një rritje prej 20 lekësh e ka pësuar edhe kafja, e cila prek vlerën e 130 lekëve tashmë.
Në Divjakë karrora e cila kushton 30-40 lekë, në tregjet në Tiranë shitet me 100 lekë kg. Qepa nga 40-50 lekë atje, në ish tregun Dinamo, tregtohen me 80-90 lekë, duke pësuar rritje deri në 50 lekë. Në Kukës domatet shiten me 100 lekë nga 50 lekë, situatë e njëjtë paraqitet dhe në qytete të tjera.
Çmimi i bukës në vend, ndonëse jo në të gjitha furrat, ka pësuar një rritje me 10 lekë. Rritja erdhi si reaksion zinxhir që nisi nga importi i grurit dhe miellit, te prodhimi e më pas tregtimi. Kjo solli revoltë te qytetarët mirëpo asnjë masë nuk u mor nga qeveria. Autoriteti i Konkurencës ‘justifikoi’ kompanitë që kanë bërë këto rritje të çmimeve duke deklaruar se nuk do të marrin asnjë ndëshkim por do të jenë nën monitorim për 1 vit. Bëhet fjalë për kompanitë e njohura: Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK. Këtë e kundërshtoi dhe Ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe duke deklaruar në atë kohë se kompanitë duhet të ishin gjobitur pasi hetimet e kryera një vit më parë kanë konstatuar shkelje.
Çmimi i grurit në tregjet ndërkombëtare u rrit me rreth 130 dollarë për ton brenda një viti. Por, rritja nuk ka ndodhur uniformë në gjithë tregun. Rritja e çmimit të grurit, sipas tregtarëve, ka ardhur për shkak të rënies të prodhimit nga shtetet si: SHBA, Kanada dhe Rusia.