”21 Janari”, Taulant Balla vizitë tek nëna e Hekuran Dedës: Jeton me shpresën se drejtësia do të arrijë të tregojë
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla vizitoi nënën e një prej viktimave të ngjarjeve të 21 Janarit në bulevard, Hekuran Dedës. Për arsye shëndetësore, ajo sot për herë të parë në këto 15 vjet mungoi në ceremoninë përkujtimore me karafilë të kuq në vendin ku iu vra i biri.
“Sot, ndryshe nga çdo 21 Janar i këtyre 15 viteve, mungoi nëna e dëshmorit Hekuran Deda”, shkruan Balla, duke theksuar se arsyeja e mungesës lidhet me moshën e saj të thyer. Sipas tij, ajo mban mbi supe 87 vite jetë dhe një brengë të madhe që nuk është shuar as me kalimin e kohës. Balla tregon se e ka takuar në mbrëmje nënën e Hekuran Dedës dhe se ajo i është shfaqur e fortë me shpresën se drejtësia do të bëjë më në fund detyrën e saj.
“Sonte e gjeta të fortë në zemër dhe me shpresën se drejtësia do të arrijë t’i tregojë se me urdhër të kujt u vra djali i saj”, shprehet ai, duke e shoqëruar mesazhin me një simbol dhimbjeje dhe empatie. Postimi i Ballës rikthen në vëmendje plagën e hapur të 21 Janarit dhe pritjen e gjatë të familjarëve të viktimave për zbardhjen e plotë të përgjegjësive dhe vendosjen e drejtësisë.
KOHA JONË SONDAZH

