22 marsi 1992, Shehi: Më 25 prill duhet t’i japim fund çdo përpjekjeje që minon rrugën Europiane

Kreu i LZHK-së, njëherësh edhe kandidat për deputet në listën e PD-së, Dashamir Shehi kujtoi 22 marsin e 1992, kur PD-ja fitoi zgjedhjet pas rënies së komunizmit dhe u ngjit në pushtet. Shehi deklaroi se pas 29 vitesh kërkohet që sytë të kthehen nga Perëndimi, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Nga ana tjetër ai thotë se në ditët e sotme pritet ndryshimi i madh sepse shqiptarëve u ka vdekur shpresa.

“22 marsi 1992, ditë reflektimi për të kthyer sytë nga Perëndimi dhe jo Lindja! 29 vite më parë e djathta shqiptare shënoi fitoren e parë pas 45 vitesh diktature. Populli i Tiranës dhe mbarë Shqipërisë i besoi platformës “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe me votë plebishitare, për herë të parë pas 47 vitesh zgjodhi një qeveri që kishte misionin integrimin e vendit dhe yll polar çështjen kombëtare.

Përpara 29 vitesh kishte shpresë, ndërkohë sot jemi në rrethana kur shpresa dhe fryma pritet të sjellë ndryshimin madh për vendin, e cili duhet të vijojë rrugëtimin drejt familjes madhe të Bashkimit Evropian dhe jo të bëhet vasal i veglave të autokratëve të Lindjes e Turqisë.

Evropa është shpresa dhe ëndrra jonë, ndaj me 25 prill duhet t’i japim fund çdo përpjekjeje që në emër të interesave të ngushta lokale të minojmë rrugën evropiane duke flirtuar me Lindjen dhe autokratët. Kam pasur nderin të jem pjesë e qeverisë dalë nga zgjedhjet e 1992, teksa kujtoj se emërues i përbashkët i atij kabineti qeveritar ishte integriteti, ndryshe nga sot, ku kriter janë sukseset në 3D dhe pëlqimet në rrjete sociale”,-shkruan Shehi.

SHKARKO APP