23 mln € në valixhe drejt Shqipërisë? Franca: ”Fake News”
”Fake News” është lajmi se në Shqipëri po transportoheshin 23 milionë euro me dy valixhe diplomatike. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Brendshme franceze.
Lajmi fillimisht u publikua nga aktivisti Samba Gassama General nga Mali më 28 mars përmes një statusi në facebook, ndërkohë që më pas u pasqyrua nga një media po nga ky vend, “Mali Actu”. Sipas saj, shuma u kap në aeroportin ”Charles-de-Gaulle” në Paris. Në shkrim thuhej se bëhej fjalë për valixhe diplomatike, të cilat si destinacion final kishin Shqipërinë.
”Nga të njëjtat burime, valixhet ishin për Shqipërinë, një vend i njohur si një parajsë tatimore, ku fondet e pastrimit të parave janë me parashutë. Cili personalitet ishte bartësi i bagazheve? Burime nga Mali nuk mund ta japin këtë përgjigje. Megjithatë sponsorët e transaksionit janë mbështetur mbi paprekshmërinë e çantave diplomatike, një status ky që shërben si mënyre keqpërdorimi nga zyrtarët”,-kështu shkruhej te “Mali Actu” në lidhje me ngjarjen.
Ministria e Brendshme e Francës duke iu përgjigjur interesit nga pala shqiptare mohoi se në aeroportin ”Charles-de-Gaulle” në Paris të jetë bllokuar një shumë e tillë dhe aq më tepër që të kishte lidhje me Shqipërinë. Ajo theksoi se kemi të bëjmë me një ”Fake News”.
KOHA JONË SONDAZH

