25 prilli, drejtuesja e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë: Covid-19 s’pengon ardhjen e ODIHR-it
Vëzhguesit e OSBE-ODIHR-t për shkak të pandemisë së Covid-19 nuk i monitoruan zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, por sipas Drejtueses së koalcionit të vëzhguesve vendorë, Gerta Meta ata do jenë prezentë më 25 prill në Shqipëri.
”Deri tani kemi patur komunikim me delegacionin e ODIHR, ata kanë ardhur këtu për të bërë vlerësim paraprak të zgjedhjeve të 25 prillit, shpresoj të jenë prezent duke qënë se e kanë bërë hapin e pare. Duke qënë se ky proçes do të ketë risi, nuk do të mbetet jashtë vëmendjes. Ky është interes edhe për partitë që të certifikohen zgjedhejt në shqipëri. Edhe ata kanë kontribut në proceset zgjedhore”,-tha ajo.
Nga ana tjetër, ajo pranon se pandemia në një farë mënyrë do të ndikojë në zgjedhjet e 25 prillit. ”Ky është një problem, që do ta afektojë procesin zgjedhor, ku do të pengojë vëzhguesit në aspektin e akomodimit. Për ta respektuar situatën, do të jenë zgjedhje me kujdes të vecantë, por syri i vëzhguesit do të jetë aty për të marrë informacionin dhe ta bëjmë publik, pasi qytetarët kanë të drejtë ta vëzhgojnë dhe mbrojnë votën e tyre”. Për drejtuesen e koaliconit të vëzhguesve vendorë, votimi elektronik ka qënë një dështim i partive politike.