25 viktima nga tërmeti në Durrës, gati arrestimet e para

51 jetët e humbura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit dhe dëmet e mëdha të shkaktuara nga lejet e ndërtimit problematike, duket se nuk do të kalojnë pa u dënuar nga institucionet e drejtësisë. Mësohet se Prokuroria e Durrësit ka mbledhur tashmë prova në çdo pallat të dëmtuar për shkak të tërmetit, gjë e cila do të bëjë që shumë shpejt personat përgjegjës të shkojnë para drejtësisë. Pritet që në ditët në vijim të bëhen arrestimet e para për shkelësit pasi shkeljet duket të jenë të mëdha. Prokuroria e Durrësit kishte nisur që më datë 29 nëntor çështjen penale për tërmetin nga i cili janë shembur disa ndërtesa duke shkaktuar vdekjen e 25 personave vetëm në këtë qytet.

Prokurorët dyshojnë se shkak për shembjen e godinave janë bërë ndërtimet pa leje, por edhe moskryerja e detyres nga inxhinierët zbatues si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetërorë të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Katër prokurori janë në kërkim të ekspertëve të ndërtimit, të cilët duhet ti bashkëngjiten grupeve që pas tërmetit të 26 nëntorit, po hetojnë për veprat e ndërtimit të paligjshëm dhe shpërdorimit të detyrës. Deri më tani prokurorisë së Durrësit i janë bashkangjitur dy specialistë nga instituti i ndërtimit që janë përfshirë në këqyrjet e objekteve përpara se ato të shkatërrohen në formë të telekomanduar.

Shtatë prokurorë në Durrës janë ndarë në dy grupe, njëri prej të cilëve po heton si një të vetme shtatë referimet e shembjes nga tërmeti të shtatë ndërtesave nga rrënojat e të cilave u shkaktuan viktima. Në një të vetëm janë bashkuar fashikujt e shembjes së ish-Vila Palma, Mira Mare, Kavalishensës, Ish-Tropikalit, gjashtë katëshit pranë stadiumit, ndërtesës katër kateshe të familjes Lala dhe godina tek zona e “Dy Gjelave”. Grupi i dytë po heton listën e mëse 70 godinave që do shemben pasi konsiderohen të rrezikshme, ndërkohë të njëjtën procedurë po ndjek edhe prokuroria e Krujës, e cila sikurse kolegët ka urdhëruar sekuestrim në hipotekë dhe prefekturë të dokumentave, por edhe të procesverbaleve të konstatimit në këto ndërtesa pas tërmetit të datës 21 shtator.

Pasojat e tërmetit janë shumë më të rënda sesa shohim në ekran nga pushteti. Dëmet nga tërmeti paraprakisht mund të shkojnë nga 500 mln euro deri në 1.2 miliardë euro, por fatura përfundimtare do ende kohë që të dalë. Anëtari i Komitetit të Rindërtimit, Arben Meçaj u shpreh në “Repolitix” se Shijaku është qyteti më i prekur nga tërmeti. Gazetari Sejdarasi ngriti shqetësimin se si pasojë e tërmetit në Durrës mbi 10 mijë persona aktualisht nuk hyjnë dot në vendet e punës, pasi ekspertët që kanë bërë aktet e konstatimit u kanë vendosur kryq të kuq sipërmarrjeve për shkak të dëmeve që kanë pësuar.

SHKARKO APP