
Investimi prej 250 milionë lekësh të reja i qeverisë për PET Scan, është paguar pjesërisht tashmë, por ende nuk është instaluar. Ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu, thotë për Report Tv se nevojitet një kohë e caktuar për krijimin e kushteve të aparaturës.
“PET Scan-i ka qenë një nga investimet e qeverisë shqiptare për vitin 2026. Pra, është paguar pjesa kryesore e aparaturës, por duhet të kuptojmë që kjo është një aparaturë e cila nuk është se blihet, por porositet. Nuk është se ti e ke gati dhe e blen, por ajo porositet. Agjencia Atomike po na ndihmon dhe kjo blerje do të bëhet prej tyre.
Si çdo aparaturë e veçantë, edhe kjo kërkon rregulla shumë strikte. Grupi i punës po punon paralelisht për krijimin e kushteve për vendosjen e aparaturës në Qendrën Spitalore Universitare, në vendin ku ofrohet shërbimi i mjekësisë nukleare.
Kjo kërkon një kohë të caktuar për t’u planifikuar vendi, për t’u hartuar nga Instituti i Ndërtimit, për t’u miratuar projekti dhe për t’u prokuruar. Ju e dini që vetëm procesi i prokurimit zgjat minimalisht 45 ditë, në qoftë se nuk ka ankim”, tha Spahiu.
