Ministri i Brendshëm, Ervin Demo në bilancin dy javor të protestave studentore, ka cilësuar si shqetësues përfshirjen e të miturve në akte dhune, të cilët sipas tij janë përdorur nga organizatorët në vijën e parë. Në një konferencë për shtyp së bashku me drejtorin e Policisë së Shtetit Skënder Hita, ministri Demo tha se deri më tani janë shoqëruar 269 të mitur nën moshën 18 vjeç.
“Të miturit janë përdorur nga organizatorët, të cilët i kanë vënë në vijë të parë të sulmit, duke qëndruar vetë pas. Shifrat e shoqërimit tregojnë se numri i tyre është shqetësues. Janë 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç. Kjo tregon sfidën e madhe që kemi për të adresuar këtë plagë, që në fakt është një fenomen të cilit duhet t’i japim drejtimin e duhur. Për të miturit duhet të gjejmë rrugën, mbështetjen e duhur që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i këtyre javëve të fundit”, tha Demo. Ai u ndal edhe te kërcënimet ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit, për të cilat policia ka referuar disa raste, duke theksuar se këto kërcënime janë bërë përmes kanaleve publike të komunikimit nga persona që kanë organizuar sulme ndaj policisë.
”Policia e Shtetit ka referuar raste të kërcënimeve që u janë bërë drejtuesve të caktuar, të cilët kanë përdorur kanalet publike të komunikimit për të organizuar sulme ndaj policisë. Është e paprecedentë. Do të ndjekim hapat ligjorë për të garantuar që çdo punonjës të kryejë detyrën duke pasur mbrojtjen e nevojshme. Qasja e qeverisë është e qartë: jemi të hapur të dialogojmë me këdo që kërkon dialog për çështje specifike”,-tha Demo.
347 persona është bilanci i të lënduarve. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo tha se nga këta, 107 janë protestues, ndërsa 39 kalimtarë e mes tyre gazetarë. Në rastet e tejkalimit të proporionalitetit të dhunës, ai thekson se Policia e Shtetit ka marrë masat dhe ka vënë nën hetim 7 punonjës. ”Këto shifra janë një kambanë alarmi sa i përket nivelit të dhunës dhe trajtimit proporcional që Policia e Shtetit ka bërë. Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme është i qartë: ne garantojmë të drejtën kushtetuese, ashtu si dhe ndërhyrjen proporcionale. Policia e Shtetit ka ndërmarrë masat e duhura, 7 punonjës të pezulluar dhe nën hetim, por edhe AMP është duke punuar në dhjetëra raste që janë referuar nga qytetarë apo hetim për raste specifike”, tha Demo.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita tha se 201 efektivë u lënduan në protestat. Hita u bëri thirrje prindërve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të tyre në protesta të paligjshme. ”Janë identifikuar 52 persona për veprime të dhunshme pavarësisht për të fshehur identitetin e tyre. Puna hetimore dhe kqyrja e kamerave vijon. Përsëris thirrjen për prindërit tregoni kujdes dhe mos lejoni fëmijët e mitur të bëhen pjesë e dhunës. Policia do të veprojë në bazë me ligjin. E drejta për të protestuar nuk ndalohet, por dhuna nuk mund të justifikohet”, tha Hita.
Nga ana tjetër, Hita ka reaguar lidhur me raportimet për pengimin e gazetarëve nga Policia gjatë raportimit në terren, duke theksuar se liria e medias dhe e drejta për informim duhet të respektohen dhe të mbrohen. Hita u shpreh se gazetarët, operatorët dhe fotoreporterët kryejnë një mision me interes publik dhe se çdo pretendim për pengim të punës së tyre apo sjellje të papërshtatshme nga efektivët do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit dhe komunikimit mes Policisë dhe medias, veçanërisht gjatë protestave dhe situatave të tensionuara, duke garantuar se siguria publike dhe liria e informimit duhet të bashkëjetojnë. ”E drejta e gazetarëve për të ushtruar lirisht dhe në mënyrë të pavarur profesionin duhet të respektohet dhe të mbrohet. Çdo pretendim për pengim të punës së tyre do të trajtohet në përputhje me ligjin”, deklaroi Skënder Hita.
