28 hetuesit e ”FBI-së shqiptare” janë gati për në terren, SHBA: Krenarë t’i mbështesim

28 hetuesit e ”FBI-së shqiptare” janë gati për në terren. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar (SPAK), ka uruar 28 kandidatët për hetues, të cilët përfunduan me sukses muajin e parë të trajnimit bazë dhe duke nisur nga java e ardhshme do të emërohen zyrtarisht si hetues të BKH-së. ”Me përfundimin e kësaj faze të parë, ne presim me padurim që ata të vijojnë me sukses fazat e mëtejshme të trajnimit”, thuhet në njoftim.

Edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka uruar 28 hetuesit e BKH-së, që marrin zyrtarisht detyrën javën e ardhshme. SHBA thotë se 28 hetuesit e BKH janë duke u trajnuar dhe do të çojnë përpara Reformën në Drejtësi.

“Urime 28 hetuesve të sapoemëruar të BKH-së! Këta individë janë testuar dhe janë duke u trajnuar. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin këta individë, ndërsa ata ndërmarrin fazat e tjera të trajnimit të tyre dhe ndihmojnë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Ne i urojmë fat të mirë të gjithë atyre që kohët e fundit kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, shkruan ambasada.

Njoftimi i plotë nga SPAK

SPAK dëshiron të urojë 28 kandidatët për hetues, të cilët përfunduan me sukses muajin e parë të trajnimit bazë dhe duke filluar nga java tjetër do të emërohen zyrtarisht si hetues të BKH-së.

Rrugëtimi i tyre filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë muajit Tetor 2020 dhe ka përfshirë teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës.

Me përfundimin e kësaj faze të parë, ne presim me padurim që ata të vijojnë me sukses fazat e mëtejshme të trajnimit, të cilat do të përfshijnë: “Trajnimin për Armët, Sigurinë dhe Aftësitë e Mbijetesës”; Trajnimin me Drejtorinë Italiane të Hetimit dhe Antimafias (DIA); si dhe Trajnimin me Byronë Federale të Hetimit SHBA-ve (FBI).

SPAK, gjithashtu ju uron sukseset më të mira të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që kanë dorëzuar së fundi aplikimet e tyre për të qënë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së.

SHKARKO APP