29 viktima vetëm në qershor, Brataj: Në korrik shtohen rastet me Covid-19

Qershori mbyllet me bilancin më të keq të përhapjes së Covid-19 dhe numrit të viktimave. Vetëm në qershor u prekën 1400 qytetarë, ndërsa humbën jetën 29 pacientë. Ekspertët e shëndetësisë kërkojnë reflektimin e popullatës, veçanërisht të atyre qytetarëve që nuk besojnë në shifrat e sëmundshmërisë dhe as në ekzistencën e Covid-19.

”Kjo është gjëja më absurde që po ndodh në këtë vend, ndërkohë që e gjithë bota është në këtë situatë, ashtu si edhe Ballkani. Njerëzit duhet ta marrin vesh një herë e mirë, nuk bëhet shaka me virusin, sepse po shkakton pacientë, viktima, po infekton njësoj si më parë”, thotë kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

Ai paralajmëron se në korrik do të ketë përkeqësim të situatës dhe rritje të rasteve. Sipas tij, është e lidhur me mosrespektimin e masave. ”Ky rezultat që shohim tani është pasojë e muajit maj, pasojat e qershorit do t’i shohim në korrik. Zbatoni rregullat”.

Brataj u bën thirrje qytetarëve t’i përshtaten sjelljeve të reja, ndërsa bizneset të respektojnë të gjitha masat mbrojtëse, veçanërisht në ambientet e mbyllura. Vetëm kështu, thotë drejtori i Urgjencës, qytetarët mund t’i shpëtojnë infektimit, ndërsa sistemi shëndetësor kolapsit.

SHKARKO APP