3.3 miliardë lekë për subvencionimin e fermerëve, zv.ministri Civici: Fondet do përpjestohen

Nga 20 marsi do të nisin aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë. Zv/ministri i Bujqësisë, Enio Civici tha se fondi është rritur në krahasim me 2022.

“Fondi i këtij viti krahasuar me atë të vitit të kaluar është pak më i lartë, 3.3 miliardë lekë nga 3.2 që ishte në fillim të vitit të kaluar. Skema kombëtare e këtij viti ka për qëllim të mbështesë eksportet, të ushtrojë qëndrueshmërinë e mënyrë së mbështetjes, ka prioritet blegtorinë dhe siç ju thashë vazhdon mbështetja me naftën. Ne vjet arritëm që të mbështesim mbi 50 mijë fermerë”.

Risi sipas Civicit është se të gjithë aplikuesit në bletari dhe blegtori do të përfitojnë. Sipas udhëzimit për subvecionet direkte mbarështimi i bletarisë është në vlerën 1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje.

“Blegtoria duke ndjekur edhe ecurinë e këtij sektori ndër vite, ka marrë vëmendje edhe më të madhe. Është prioritet i skemës kombëtare të këtij viti. Si në rastin e bletarisë, ashtu dhe të blegtorisë, do të aplikohet sistemi i proporcionalitetit. Të gjithë ata që do të aplikojnë, do të përfitojnë”,-tha më tej ai.

Në lidhje me radhët në pikat e fizike të aplikimit zv/ministri tha se ka pasur fluks edhe pse aplikimi mund të bëhet lehtësisht online. Afati i fundit i aplikimit nga fermerët për të përfituar nga skema e subvecionimit është 11 prill 2023.

SHKARKO APP