30 Maji i 35 viteve më parë, kur kongresmenët amerikanë Tom Lantos dhe Joe DioGuardi u pritën nga Ramiz Alia
Nga Albert Vataj
Ka data që nuk i gjejmë në kalendarin e festave zyrtare, por që mbeten në kalendarin e ndërgjegjes kombëtare. E tillë është 30 maji i vitit 1990, një ditë që nuk përfaqësoi thjesht një takim protokollar, por një hap të ndrojtur, por të denjë të Shqipërisë drejt botës, drejt një vetëdijeje të re historike dhe shpirtërore.
Në atë ditë të nxehtë pranvere, kur Tirana mbante ende erën e një izolimi të gjatë e të rëndë, dhe lëngonte nën barrën e skamjes dhe varfërisë së agonisë së diktaturës, në Presidencën shqiptare u zhvillua një vizitë që do të merrte përmasat e një simboli, kongresmenët amerikanë Tom Lantos dhe Joe DioGuardi u pritën nga Ramiz Alia. Një takim që për publikun shqiptar atëherë nuk u njoh menjëherë në thellësinë e tij, por që sot lexohet si moment i kthesës, si prelud i rivendosjes së marrëdhënieve me SHBA-në, por edhe si rikthim i një dinjiteti të mohuar.

Shqipëria po hynte në një erë të re zhvillimesh të hovshme, dhe kjo vizitë e kongresmenëve amerikanë ishte vela që do të drejtonte anijen shqiptare të drobitur nga stuhitë e diktaturës drejt brigjeve të shpresës.
Joe DioGuardi, bir i një shqiptari nga Hoti i Malësisë, i lindur në Bronx, i rritur si amerikan, në atë tryezë nuk ishte veç një kongresmen. Ai ishte kthimi i shpirtit shqiptar nga mërgimi, rikthimi i një zëri që historia e kishte ndarë nga trungu, por jo nga kujtesa. Me gjuhën e diplomatit, por me zemrën e birit të një fisi të lashtë, DioGuardi i foli Alisë si një shqiptar që kërkonte që Shqipëria të kujtohej se kishte bij nëpër botë. Dhe që këta bij nuk kishin harruar.
Në një nga momentet më prekëse të atij takimi, Tom Lantos, i mbijetuar i Holokaustit dhe avokat i të drejtave të njeriut, e përmendi me mirënjohje faktin se asnjë hebre nuk ishte dorëzuar në dorë të nazistëve në Shqipëri. Në një kohë kur vendet e mëdha kërkonin të justifikonin heshtjen apo bashkëpunimin, Shqipëria e vogël kishte mbrojtur me besë dhe me rrezik jetën e të huajve.
Ky fakt, i zbehur në histori dhe i heshtur nga propaganda, u bë i ditur botërisht atë ditë. Dhe ishte Amerika ajo që ia tha Shqipërisë këtë të vërtetë, për të kujtuar se edhe në errësirë, Shqipëria kishte pasur dritë, dritë shpirti që u buronte nga thellësia e vetëdijes si komb.
Vizita e Lantos dhe DioGuardi-t ishte më shumë se një akt diplomatik. Ishte rishtrirje urash. Një ftesë për ta parë veten ndryshe. Një thirrje për të dalë nga bunkerët e frikës dhe për të ecur drejt botës me fytyrën e njeriut, jo të ideologjisë.
Për Ramiz Alinë, ndonëse nën trysninë e një sistemi që po shuhej, ky ishte hap i guximshëm, për të pranuar se e ardhmja nuk mund të ndërtohet me mure, por me ura. Dhe ishte pikërisht Amerika, vendi që për dekada ishte përfolur si “armik”, që në fakt u bë dorë e parë e bashkëjetesës së re me Shqipërinë.
Sot, kur kanë kaluar më shumë se tri dekada, 30 maji i vitit 1990 duhet të kujtohet jo vetëm si një ngjarje politike, por si një akt i thellë njerëzor dhe kulturor. Një takim që e nxori Shqipërinë nga izolimi, por edhe nga heshtja. Një përballje ku fjalët nuk ishin të rreme, ku identiteti nuk u shfaq me slogan, por me nderim.
Ishte dita kur një shqiptar i Amerikës tha me zë të lartë: “Unë jam biri juaj”. Dhe Shqipëria, për herë të parë pas shumë kohësh, nuk tha “kush je ti?”, por i tha mirë se erdhe.

Qëllimi i vizitës ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike SHBA–Shqipëri, si dhe njohja e kontributit të diasporës shqiptare në Amerikë dhe e trashëgimisë humane të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore në shpëtimin e hebrenjve nga Holokausti.
Rezultatet kryesore që reflektuan: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike pa kushte paraprake nga SHBA, brenda një muaji pas vizitës.
Zbulimi dhe theksimi ndërkombëtar i faktit që asnjë hebre nuk u dorëzua në dorë të nazistëve në Shqipëri, një dëshmi unike e humanizmit shqiptar.
Pjesë nga dialogu historik të 35 viteve më parë.
Ramiz Alia: “Në Amerikë ka shumë shqiptarë… Ata kanë ruajtur lidhjet me atdheun e tyre. Kanë ndihmuar për liri dhe pavarësinë e popullit shqiptar. Amerika iu ka ndihmuar atyre, dhe Shqipëria i ka pranuar si bijtë e saj.”
Tom Lantos: “Miku im DioGuardi kthehet në Shqipëri pas 500 vjetësh dhe kthehet si një bir i vërtetë i saj, krenar për origjinën e tij.”
Joe DioGuardi: “Më pak se nëntë muaj nga mandati im i parë si kongresist, shqiptarët zbuluan se babai im ishte shqiptar. Unë zbuloja se isha zëri që ata kishin nevojë në Washington.”
Në këtë përvjetor, nuk kemi nevojë për kurora, për statuja apo për deklarata zyrtare. Kemi nevojë për kujtesë, për respekt, për rikthim të dinjitetit historik. Sepse një popull që di të mbrojë të huajin në kohë lufte, di të rigjejë veten edhe në kohë paqeje.
KOHA JONË SONDAZH

