30 shkolla në rindërtim. Në Durrës-Shijak, viti i ri shkollor është në pikëpyetje
Në Bashkinë e Durrësit dhe Shijakut, përveç pandemisë, autoritetet duhet të përballen edhe me mungesën fizike të objekteve arsimore, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
Nga 60 objekte arsimore, parauniversitare, shkolla dhe konvikte që janë në bashkitë e Durrësit dhe Shijakut, 30 prej tyre janë në proces rindërtimi, pra që nuk do të kenë mundësi të presin nxënësit në datën 14 shtator.
Kryetari i Bashkisë së Shijakut, thotë se fundi i nëntorit do t’i rikthejë nxënësit në shkollat e prishura nga tërmeti, ndërsa thekson se janë marrë masat edhe për transportin falas të nxënësve në shkollat e tjera pritëse.
Rikthimi i normalitetit për arsimin parauniversitar pritet të ndodhë pas datës 26 nëntor 2020, ditë kur shënohet plot një vit nga tërmeti tragjik. Deri atëherë, mbetet për t’u verifikuar nëse do të zbatohet apo jo ky afat.