32 të birësuar në 6 muaj, mes tyre edhe një fëmijë me HIV-AIDS

Në 6 muajt e parë të 2015 në Shqipëri janë birësuar 32 fëmijë, mes tyre dhe një fëmijë me virusin HIV-AIDS.

Shifrat bëhen publike nga kryetari i Institutit të Birësimeve Genci Terpo, sipas të cilit postulati i institucionit që ai drejton mbetet gjetja e një familje për një fëmijë të braktisur dhe jo një fëmije për çiftet që nuk kanë një fëmijë biologjik.

“Birësimi është një akt shumë i plotë dashurie që do të thotë një çift që kërkon të birësojë një fëmijë duhet të ndjejë nevojën e pasjes së një fëmije. 6 muajt që lamë pas janë bërë rreth 32 birësime vendase dhe ndërvendase.

Pra po t'i referohemi numrit të përafërt që zakonisht, sepse mund të bëjmë një krahasim çdo vit për sa i përket numrit të birësimeve për çdo 6 muaj, themi se jemi në një standard pothuajse të njëjtë me vitin që lamë pas.

Tendenca jonë është pikërisht që të bëjmë një shtrirje sa më të barabartë dhe me agjencitë me të cilat ne bashkëpunojmë. Kuptohet çdo agjenci ka karakteristikat e saj, ka agjenci të cilat janë të prirura për të birësuar fëmijë me nevoja speciale, pra fëmijë me probleme shëndetësore dhe kjo është gjë shumë e mirë.

Jo më larg se dy muaj më përpara ne birësuam një fëmije me HIV-AIDS i cili ishte një rast shumë i veçantë dhe ishte shumë e vështirë për të gjetur një familje, përgjithësisht një familje që të ishte e gatshme për ta birësuar atë fëmijë”, shprehet Terpo për A1 Report.

Ndërsa referuar ndryshimeve ligjore të cilat janë propozuar për ligjin e birësimit, Terpo shprehet se gjithçka do t’i shërbejë unifikimit të praktikave për nisjen e një birësimi.

“Në institucionet e përkujdesjes sociale ka disa kategori fëmijësh, ka fëmijë që braktisen në maternitet që me lindjen e tyre, ka dhe fëmijë të cilët lihen prej familjes biologjike dhe koha për t'i deklaruar të braktisur ata në mungesë të interesimit të familjes biologjike është e ndryshme.

Përshembull në rastin e fëmijëve te cilët lihen nga vetë prindërit koha për ti deklaruar të braktisur është një vit. Ndërsa tek fëmijët të cilët braktisen në maternitet koha e deklarimit të braktisjes së tyre është tre muaj.

Ne kemi synuar për të unifikuar praktikën ose më saktë për të krijuar një standard të njëjtë lidhur me deklarimin e braktisjes”, thotë ai.

SHKARKO APP