4 mijë denoncime ndaj magjistratëve! “Vetting”, 2019-ta një vit plot me kallëzime ndaj gjyqtarëve e prokurorëve
Ndërsa muajt e fundit të vitit kanë shënuar një rënie të ritmeve të ‘Vetting’-ut, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me denoncimet e qytetarëve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Deri në fund të vitit që sapo lamë pas, ka arritur në rreth 4 mijë numri i denoncimeve nga qytetarët.
Në fund të tetorit, numri total i denoncimeve nga qytetarët pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka arritur në 3899, ndërkohë që atio kanë vijuar edhe gjatë nëntorit e dhjetorit. SCAN ka zbardhur të dhënat e regjistrit të denoncimeve të Komisionit të Pavarur të kualifikimit, sipas të cilit, për periudhën gusht, shtator, tetor, janë depozituar përkatësisht 74, 124 dhe 135 kallzime nga qytetarët.
Komisioni fton prej kohësh të gjithë qytetarët të paraqesin pranë tij ccdo dijeni të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve.
Disa prej denoncimeve kanë luajtur edhe rol kyç në vendimet e trupave gjykuese, siç qe edhe rasti i një gjyqtari që kishte kërcënuar përmes mesazheve telefonike një qytetare, e cila konkurronte për një vend pune me bashkëshkorten e tij.
Vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pranon se ka pasur denoncime të vlefshme, të cilat u kanë ardhur në ndihmë trupave gjykuese, ndërkohë që çdo denoncim i bashkëlidhet dosjes së subjektit të rivlerësimit, të cilit i takon denoncimi dhe është trupa gjykuese që, në zbatim të ligjit, shqyrton dhe vendos për të.
/SCAN