40-50 vjeçarët pacientët më të shpeshtë në Shqipëri, mjekja: Refuzojnë masat
40-50 vjeçarët janë pacientët më të shpeshtë që këtë periudhë që po shfaqin rëndim të gjendjes shëndetësore. Ata kanë nevojë për terapi intensive dhe disa prej tyre përfundojnë në intubim deri dhe në humbje jete. Infeksionistja Entela Ramosaco tregon arsyet se përse kjo grupmoshë është më e prekur nga virusi.
”ka shumë arsye. Ne moshat e treta, prindërit tanë i kemi izoluar në familje, i kemi mbyllur në shtëpi. Duke qenë se janë me sëmundje bashkëshoqëruese, janë të kujdesshëm, mbajnë dhe maskë kur dalin. 40-50 vjeçarët janë moshat më të pakujdesshme, disa dhe nuk e besojnë që kjo sëmundje ekziston. Nuk mendojnë se mund të rëndohen, mendojnë se mund ta kalojnë si një grip i thjeshtë. Nuk ka lidhje me gripin, kjo sëmundje shfaq forma të rënda, të merr dhe jetën”.
Mjekët infeksionistë thonë se rritja e rasteve të rënda po ndodh edhe sepse pacientët shkojnë vonë në spital. Entela Ramosaco iu bën thirrje mjekëve të familjes, por edhe të urgjencës të vlerësojnë me kujdes çdo person të infektuar. Sipas mjekëve, format e rënda shfaqin kryesisht të prekurit që kanë edhe sëmundje të tjera, veçanërisht diabet, në disa raste edhe të fshehur.