40 % e emigrantëve nga Shqipëria me arsim të lartë

Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës ka analizuar të dhënat ndërvite ku tregojnë se fenomeni në Shqipëri është i përhapur tek të rinjtë dhe të arsimuarit. Emigracioni është analizuar në dy periudha 2012-2014 dhe 2015-2019 rezulton se gjatë katër viteve të fundit fenomeni është përkeqësuar sidomos në grup moshat 20-24 vjeç.

Gjatë periudhës 2015-2019 ishin larguar nga vendi rreth 18 mijë të rinj në këtë grup-moshë, nga më pak se 10 mijë në periudhën e 2012-2014. Ekspertët e Vjenës vënë re se në Shqipëri emigrimi i të arsimuarve është në nivele shumë më të larta se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të tilla si Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova.

Nga një grup prej 105 mijë emigrantësh që ikën nga Shqipëria gjatë periudhës 2012-2019, kanë qenë të arsimuar 40,700 persona ose 40 për qind e totalit të emigrantëve. Emigrimi i forcës së aftë të punës është i lartë edhe në grup-moshat 25-29 dhe 30-34 vjeç.

Ky studim ngre si problem faktin se në shumë fusha të studimit ka një furnizim të tepërt të të diplomuarve që përballen me vështirësi në gjetjen e një pune të përshtatshme dhe si pasojë zgjedhin të emigrojnë. Ekspertët vienezë sugjerojnë se politikat e arsimit të lartë duhet të përqendrohen më shumë te kërkesat e tregut të punës.

SHKARKO APP