43-vjeçarja pjesë e një grupi radikal terrorizmi, pritet ekstradimi drejt Italisë

Të tjera detaje dalin në dritë nga arrestimi i një 43-vjeçareje për llogari të drejtësisë italiane, pasi akuzohet për terrorizëm. Në një lidhje telefonike për ‘News24’ Dorjana Bezat pohoi se Lubjana Gjeçajt, banuese në Unazën e Madhe, iu komunikua sot masa e arrestit, ndërsa pritet ekstradimi i saj drejt Italisë, ku është dënuar me 3 vjet burg.

Gjeçajt mësohet se ka qenë emigrante në Itali dhe ka dyshime se aty ka qenë pjesë e një grupi radikal. Është identifikuar nga policia italiane se ajo ka qenë pjesë e këtij grupi.

NJOFTIMI I POLICISË

Vijon bashkëpunimi me homologët për kapjen e personave me veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit. Falë bashkëpunimit të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe Interpol Tiranës me homologët në Itali, kapet në Tiranë dhe vihet në pranga një 43 vjeçare e dënuar për pjesëmarrje në organizatë me qëllime terroriste

Në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë së Antiterrorit, Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Itali, është marrë informacion në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasje të kërkuar, e dënuar për veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit. Si rezultat i veprimeve të shpejta të Drejtorisë së Antiterrorit, Interpol Tiranës në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë nr 6 në DVP Tiranë, u lokalizua vendndodhja dhe u vu në pranga shtetasja:

Lubjana Gjeçaj, 43 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 4 shtator 2020. Gjykata e Hetimeve Paraprake Milano, Itali, e ka dënuar me 3 vjet burg, për veprën penale “Organizatë me qëllime Terroriste”. Arrestimi i kësaj shtetaseje u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

SHKARKO APP