”48 orë nëpër kanale”, Azganin familjarët e përcollën në polici si triumfues: E v*ava se më ndaloi
Paraditen e së mërkurës, efektivi Novruz Cenalia u përcoll për në banesën e fundit mes dhimbjes dhe nderimeve policore. Më vonë, në mbrëmje, i riu që i mori jetën u shfaq në banesën e tij, i qeshur dhe me një pamje si triumfues, hipi në makinë dhe u dorëzua në polici nga familja, që nuk i kursyen urimet dhe mbështetjen.
23-vjeçari Azgan Mërnica thotë se konflikti ka filluar për shpejtësinë me të cilin ai po lëvizte me mjet. Efektivi i cili kishte vetëm një muaj që ishte martuar, edhe pse jo me uniformë pune, ishte në krye të detyrës dhe këtë e pranoi edhe autori në rrëfimin para uniformave blu.
”Isha duke ecur shpejt dhe shkëmbehem me policin që shkonte nga fshati në qytet dhe për pak sa nuk u përplasa me të. Ai më bëri me shenjë ndalo. Unë zbrita nga makina. Zbriti dhe ai nga makina. Aty kemi bërë llafe. Ai më tha ku shkon ti me këtë shpejtësi more, dhe më ofendoi. Kur ai bëri me dorë unë kujtova se më shau dhe u nxeha”.
Nga ana tjetër, Azgani ka treguar se për 48 orë ishte në kanale. ”Momentin që po më hahej bukë se kisha dy ditë pa bukë, shkova ke shtëpia e dajës. Këta ndërkohë kishin njoftuar policinë se kishin hall se mos më vriste RENEA. Aty erdhi policia dhe më mori, një polic, shefi krimeve të Fierit dhe më çoi në drejtori”.
23-vjeçari shihet duke qeshur dhe tepër i qetë. Në videon e publikuar mbrëmjen e djeshme dëgjohet një grua ku i thotë “Azgan Zoti para, hajde rrugën e mbarë”. Ndërsa në një video tjetër një i afërm i tij e këshillon dhe i thotë “nëse të luan njeri aty brenda”, ndërsa Azgani e qetëson, nga mimika e tij lë të nënkuptojë që është shumë i qetë dhe se nuk ka aspak frikë.