5 britanikë dhe një portugez vranë Ardian Nikulajn
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku doli në një deklaratë për mediat këtë të mërkurë duke bërë të ditur se ka zbardhur vrasjen e ndodhur më 19 prill në Shëngjin, ku u ekzekutua Ardian Nikulaj. Për këtë rast, Rrumbullaku u shpreh se janë lëshuar 6 urdhërarreste, 5 nga të cilat për shtetas britanikë dhe një shtetas portugez.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
• Gëzhoja arme zjarri model 54, kalibër 7.62 mm;
• Një predhë model 54, kalibër 7.62 mm;
• Letërnjoftim;
• Celular i markës “iPhone”, dhe disa prova të tjera biologjike dhe filmike
Njëkohësisht, grupi hetimor ka vijuar me veprime të shpejta procedurale si: marrje të deklarimeve, këqyrje dhe sekuestrim pamjesh filmike në vendin e ngjarjes, këqyrje të itinerarit të përshkruar nga autorët e dyshuar që lidhen me kohën dhe vendin para dhe pas kryerjes së ngjarjes së rëndë kriminale.
Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar veprimet e autorëve të dyshuar, nga momenti i organizimit, deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj si dhe e gjithë dinamika dhe itineraret e përshkruara nga ekzekutori dhe të gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë si organizatorë dhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet procedurale të kryera për këtë ngjarje janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Përsa i përket automjeteve të përdorura për kryerjen e krimit nga autorët e dyshuar është dokumentuar përdorimi i tyre nga personat e dyshuar për një periudhë kohore për realizimin e vrasjes.
Në përfundim të këtyre veprimeve paraprake, nga provat shkencore të siguruara, deklarimet dhe sekuestrimet në cilësinë e provës materiale të sipërpërmendura, nga Prokuroia pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë janë caktuar masat e sigurisë për 6 shtetas, si autorë të dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit, dhe konkretisht:
E. H., shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike,
R. R. S., shtetas portugez,
H. J. S., shtetas britanik,
H. B., shtetase britanike,
TH. M., shtetas britanik,
S. P. H, shtetas britanik,
Grupi hetimor vijon punën hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të organizimit dhe financimit, për ekzekutimin kriminal të shtetasit Ardian Nikulaj. Gjithashtu grupi hetimor po bashkëpunon me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, pas kryerjes së krimit.
Mbi bazën e materialeve të referuara nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal nr. 205, viti 2023 për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 19 prillit, ku autori qëlloi me 7 plumba mbi Ardian Nikulaj, teksa ky i fundit ishte i ulur në lokalin e tij, ndërsa më pak u largua me motor. Nga të dhënat e fundit, dyshohet që autori mund të jetë larguar në drejtim të paditur me makinën “Land Rover Defender”. Nikulaj njihej si një biznesmen ndërtimi në zonë, ndërsa ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2021.