5 fazat e pandemisë, Fauci tregon se në cilën ndodhet bota
Pandemia ka 5 faza dhe është ende agresive bashkë me variantet që kanë dalë. Këtë e thotë epidemiologu kryesor amerikan, Anthony Fauci dhe këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit Joe Biden.
Për të bota ndodhet në fazën e parë të pandemisë së Covid-19. Faza e parë e pandemisë, ose pandemia e vërtetë është një periudhë në të cilën e gjithë bota ndikohet shumë negativisht, sikurse për momentin.
Faza e dytë është ngadalësimi i numrit të rasteve pozitive. Në shumë vende ku mbizotëron mutacioni Omicron, shpërthimi i rasteve u pasua me depërshkallëzimin. Në Afrikën e Jugut, vala e katërt e pandemisë Omicron zgjati vetëm tre javë gjithsej, ndërsa në Britani shtrimet në spital kanë filluar tashmë të bien, pas një muaji.
E treta është kontrolli ose ajo që disa e quajnë endemi. Kjo do të thotë që Covid-i do të integrohet në gamën e gjerë të sëmundjeve infektive që përjetojmë zakonisht, si gripi apo ftohja e zakonshme.
Me fazën e katër vjen eliminimi. Për të eliminimi i një pandemie ndodh kur virusi është ende i pranishëm në botë, por është zhdukur nga rajone ose vende të caktuara. Fauci citon shembullin e poliomielitit , i cili është zhdukur nga shumë vende në glob. Njerëzit janë ende shumë larg arritjes së kësaj me Covid-19, thonë shkencëtarët.
Faza e fundit është çrrënjosja , por që është pothuajse e pamundur të arrihet.