5 ndryshime në formacion, De Biazi befason para Serbisë

Trajneri De Biazi befason me formacionin që do të hedhë në fushë në fillimin e ndeshjes ndaj Serbisë.

Krahasuar me dy kualifikueset e shtatorit, kemi jo pak, por 5 ndryshime, thuajse gjysma e skuadrës.

Kështu, nëse e nisën titullarë kualifikuesen e fundit, ndaj Portugalisë, Ajeti, Kukeli, Abrashi, Gashi dhe Cikalleshi, ata do të jenë të detyruar të ulen në stol kësaj here.

Natyrisht, ndonjëri prej tyre mund të ketë mundësi aktivizimi me kalimin e minutave të lojës, në varësi të situatave që do të paraqiten.

Gjithashtu, ka ndryshuar edhe moduli, me të cilin De Biazi do ta rreshtojë kombëtaren kuqezi ndaj Serbisë.

Bëhet fjalë për një skemë 4­-4-­1-­1, e cila synon të ruajë ekuilibrat mes reparteve, si dhe të përballojë në planin fizik kundërshtarin, i cili ka lojtarë që luajnë në klube të njohura europiane.

Porta është pronë e Berishës. Ndryshimi nis që në mbrojtje.

Elseid Hysaj merr pozicionin e tij në të djathtë, aty ku luajti Gjimshiti në dy kualifikueset e shtatorit, pasi shkodrani i Napolit ishte i dëmtuar.

Lojtari i Vaduzit spostohet në qendër, në rolin e tij natyral, përkrah Canës, duke “dribluar” Ajetin dhe mbushur boshllëkun e lënë nga mungesa e Mavrajt.

Para mbrojtjes, me detyra shkatërruese në mesfushë, do të luajë dyshja Basha­Xhaka, në qendër. I pari duhet të mbajë topin, të amortizojë kësisoji sa të mundet iniciativat e serbëve në planin ofensiv, si dhe të shpërndajë topat në të dy krahët e mesfushës, ku “pistonin” do ta bëjnë Lenjani, në të majtë, dhe Lila në të djathtë.

Pra, sikurse shihet, edhe në këtë repart, kemi dy “prurje” të reja, krahasuar me dy ndeshjet e fundit. Basha ka marrë vendin e Kukelit, i dëmtuar, por i grumbulluar, ndërsa Lila ka ulur në stol Gashin, edhe ai pa shumë aktivizim në klubin e tij. Nuk ka vend, pra, për Alban Mehën, pavarësisht se lojtari i Konyasporit po kalon një formë të shkëlqyer sportive.

Edhe Amir Abrashi, i spikatur në Bundesliga 2, me Freiburgun, duhet ta nisë derbin ballkanik me serbët nga stoli. Paksa më i avancuar, mes mesfushës dhe sulmit, do të pozicionohet Memushaj, lojtari i Peskarës në Seria B, që nuk u aktivizua fare ndaj Danimarkës dhe portugezëve. Prej tij kërkohet njëlloj fantazie, në nisjen e aksioneve kuqezi nga mesfusha, por edhe pasimi i fundit për majën e repartit ofensiv. Në të cilin nuk luan Cikalleshi, si në të kaluarën, por Bekim Balaj.

Siç duket, aktivizimi dhe forma sportive që shkodrani po kalon te skuadra e tij, Rijeka, krahasuar me atë të Cikalleshit në Turqi, e ka ulur “njeriun e shtyllave” në stol. Një “transformimi” i konsiderueshëm i formacionit nga De Biazi, gjëje të cilës ai i është ruajtur gjatë tërë këtij sezoni kualifikues

. Ka studiuar kundërshtarin dhe do lojtarët e duhur për t’iu kundërvënë Serbisë, apo emrat janë në funksion të qasjes taktike, kjo mbetet të shihet si do të aplikohet në fushë. Ndoshta në këto zgjedhje ka ndikuar edhe forma fizike e lojtarëve, teksa në fushë kërkohen “luanë të vërtetë”, që vrapojnë shumë dhe nuk u shmangen dyluftimeve, qofshin ato edhe të ashpra.

SHKARKO APP