5 orë ngujim, dalin banorët e pallatit ku 71-vjeçari ”luftoi” me policinë
Banorët e pallatit ku po qëndronte Lefter Zhidru, pas 5 orësh ngujim dalën nga banesat. Ishte policia ajo e cila bëri lëvizjen e qytetarëve të cilët ishin në panik. Ata po qëndronin pa lëvizur sipas udhëzimeve të efektivëve të pranishëm në operacion. Shumica nxitojnë të dalin, nën ankth por dhe të çliruar pas marrjes fund të një prej episodeve më të dhunshme të këtij viti.
Banorët kanë shprehur frikë për ngjarjen, por pa dhënë detaje të shumta mbi viktimën. 71-vjeçari me origjinë nga Xarra e Sarandës jetonte në zonën ”Kthesa e Sarës” në Elbasan. Prej 5 vitesh ai kishte migruar nga Saranda në Elbasan dhe në lagjen e tij njihej si tip problematik.
Zhidru ishte ndarë nga bashkëshortja e tij me të cilën ka dhe një vajzë 14-vjeçare, mirëpo jetonin në të njëjtën banesë. Kjo është gruaja e tij e tretë, ndërsa me martesat e mëparshme ka dy fëmijë.